Çmimet godasin festat/ Familjet kosovare shpenzojnë gjysmën e pagës për festa
Kriza e çmimeve po rëndon fort buxhetet e familjeve kosovare gjatë festave të fundvitit.
Rritja e kostos së produkteve bazë po i detyron qytetarët të shkurtojnë shpenzimet, ndërsa paga nuk mjafton as për nevojat minimale.
Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e kontrollit të tregut dhe varësia nga importi po e përkeqësojnë situatën.
Në prag të festave të fundvitit, qytetarët e Kosovës po përballen me një sfidë të madhe: çmimet e produkteve bazë kanë shënuar rritje të vazhdueshme, duke e bërë Vitin e Ri të kushtueshëm për shumë familje.
Me pagë mesatare bruto prej 639 eurosh, mbi gjysma e të ardhurave shkon vetëm për konsum.
Banorët e prishtinës thotë se pagën duhet ta ndajë me shumë kujdes për t’i përballuar shpenzimet festive, ndërsa ankohen se 1 Kg mish vici ka shkuar në 16 euro.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, çmimet janë rritur me 5.1% krahasuar me një vit më parë.
Rekordet më të mëdha të rritjes janë tek energjia elektrike me 20%, pemët me 15%, kafeja dhe çaji me 13% dhe mishi me mbi 12%.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, thotë se tregtarët e shfrytëzojnë periudhën festive për t’i ngritur çmimet, ndërsa mungojnë kontrollet e institucioneve.
Në këtë krizë të çmimeve, remitencat e diasporës mbeten shpëtimi kryesor për mijëra familje.
Vetëm këtë vit, ato kanë kaluar 1 miliard euro, një ndihmë jetike për konsumatorët.
Ndërkohë, shumë prej familjeve të Kosovës e shohin festën e Vitit të Ri si një barrë shtesë ekonomike.
Ndërsa vendi hyn në atmosferën festive, realiteti tregon se gëzimi i fundvitit për shumë familje matet me sakrifica financiare dhe shpresë për ditë më të mira.
