MESAZHI QË SIKLETOSI KE/ Deklarata e Vuçiçit tensionon atmosferën drejt takimit evropian

Një koment i papritur i presidentit serb ka shkaktuar siklet në një takim të nivelit të lartë në Bruksel. Aleksandar Vuçiç i tha Ursula von der Leyen se kishte marrë “mesazh nga Moska”, ndërsa mikrofonët ishin të hapur. Incidenti ngre pikëpyetje për qëndrimin e Serbisë ndërsa BE kërkon harmonizim të plotë me politikën e saj të jashtme.

“Kam marrë një mesazh nga Moska”, me këto fjalë iu drejtua presidenti serb Aleksandër Vuçiç presidentes së Komisionit Evropian Von der Leyen.

Një moment i shkurtër, por mjaft domethënës, mjaftoi për të ndezur diskutime në Bruksel.

Ky mesazh i Moskes për presidentin e Serbisë u bë publik pa dashur gjatë fotos zyrtare në prag të një takimi të rëndësishëm me drejtuesit e Bashkimit Evropian.

Në një atmosferë krejt të qetë protokollare, mikrofoni i hapur regjistroi deklaratën, e cila e vuri në siklet Ursula von der Leyen.

Ajo reagoi shkurt, në siklet iu përgjigj: “presim… presim derisa…” pa e përfunduar fjalinë, teksa kamerat vijuan të xhironin.

Por pas kërshërisë së momentit, mbrëmja kishte në qendër një temë të rëndësishme: rrugëtimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Liderët evropianë kërkuan përshpejtim reformash, me fokus te sundimi i ligjit, liria e mediave dhe harmonizimi i politikës së jashtme të Serbisë me atë të BE-së.

Në deklarimet pas takimit, udhëheqësit e BE-së theksuan nevojën që Serbia të shkëputet gradualisht nga varësia energjetike dhe politike ndaj Rusisë, duke nënvizuar se diversifikimi i energjisë është një hap pozitiv.

Ata përmendën investimet e konsiderueshme të BE-së në infrastrukturën energjetike të Serbisë dhe mbështetjen për familjet vulnerabël, duke theksuar se vizioni mbetet i pandryshuar: një Serbi demokratike, plotësisht e integruar në Bashkimin Evropian.

Momenti i papritur me mikrofon të hapur vjen vetëm pak ditë para Samitit të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ku çështja e marrëdhënieve të Serbisë me BE-në dhe Moskën pritet të jetë sërish në qendër të vëmendjes.

Deklarata e Vuçiçit ndezi kureshtje, por gjithashtu theksoi dilemat e një procesi integrues ende të brishtë.