IBER-LEPENC, FBI FORCON AKT-AKUZËN! Provat amerikane lidhin të dyshuarit me sulmin terrorist

FBI ka zbuluar prova që lidhin drejtpërdrejt tre të akuzuarit me shpërthimin në kanalin Ibër-Lepenc, përmes analizës së specializuar të dheut të gjetur në çizmet e tyre. Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë për terrorizëm, spiunazh dhe rrezikim të rendit kushtetues. Rasti rihap debatin për ndërhyrjen e Serbisë në infrastrukturën kritike të Kosovës.

FBI ka dorëzuar një provë kyçe që e lidh drejtpërdrejt sulmin në kanalin Ibër-Lepenc me tre të pandehur që tashmë gjenden para drejtësisë në Kosovë.

Analiza amerikane e dheut të marrë nga çizmet e dy prej të dyshuarve ka rezultuar e njëjtë me tokën e vendngjarjes, duke përforcuar akuzën për terrorizëm.

Përputhja gjeologjike e gjetur tek vëllezërit Jovan dhe Dragisha Viçentijeviq është përdorur si provë materiale që tregon se ata kanë qenë fizikisht në pikën ku eksplozivi u vendos.

Së bashku me një të akuzuar të tretë, treshja përballet me akuza të rënda për terrorizëm, spiunazh dhe rrezikim të rendit kushtetues. Sipas Prokurorisë, një prej tyre ka vepruar si pjesë e strukturave të inteligjencës ushtarake serbe.

Kjo provë amerikane mbështet linjën hetimore të Kosovës, e cila pretendon se sulmi ndaj kanalin Ibër-Lepenc ishte i planifikuar dhe i financuar nga struktura të lidhura me Serbinë.

Aktakuza tashmë është dorëzuar dhe procesi gjyqësor pritet të nisë së shpejti.

Me rolin e FBI-së që e ngushton rrethin e provave, rasti mund të bëhet një prej më të rëndësishmëve të dekadës në aspektin e sigurisë kombëtare. Institucionet kosovare thonë se sulmi ndaj infrastrukturës nuk do të mbetet pa përgjigje.

Sulmi ndodhi më 29 nëntor 2024, kur rreth 20 kilogramë eksploziv TNT u vendosën në pjesën kryesore të kanalit Ibër-Lepenc, një infrastrukturë thelbësore për ujësjellësin dhe energjinë. Dëmi i shkaktuar preku mijëra qytetarë dhe ngriti nivelin e alarmit të sigurisë në vend.