Vuçiç synon përfitojë nga Shqipëria e Mali i Zi: Vendet e Ballkanit Perëndimor të futen bashkë në BE
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se pranimi i përbashkët dhe i plotë në BE për të gjitha vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor ishte ideja më e mirë dhe se ai do ta propozonte atë në takimin e së mërkurës me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Nëse pranoni një, dy ose tre prej nesh, çfarë do të ndodhë me pjesën tjetër? Si do ta trajtojmë këtë? Si do t’i zgjidhim të gjitha çështjet e pazgjidhura”, tha Vuçiç në një panel në forumin BELTALKS: Bisedimet Ekonomike të Beogradit të GLOBSEC.
“Kjo ka të bëjë me të ardhmen e rajonit, por edhe me të ardhmen e Evropës”, shtoi ai.
“Nëse dikush dëshiron të kuptojë gjeopolitikën, kjo është e vetmja gjë që BE mund të bëjë, të na pranojë të gjithëve së bashku, pa kufij midis nesh”, tha ai.
“Unë shoh vetëm gjëra të mira si emërues të përbashkët të kësaj ideje. Ishte ideja ime dhe do t’ia them këtë hapur si presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa ashtu edhe Ursula von der Leyenit”, tha Vuçiç.
