KURTI: UNË JAM KRYEMINISTËR! Mos-certifikimi i Listës Serbe ndez tensionet me ndërkombëtarët

Fillimi i etheve zgjedhore në Kosovë po shoqërohet me përplasje mes Qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Vendimi i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe ka nxitur reagime të ashpra nga SHBA dhe Gjermania. Kryeministri Kurti i shmang debatet, duke thën se unë jamë kryeministër, ndërsa ambasadat paralajmërojnë dëmtim të imazhit të Kosovës.

Ethet e zgjedhjeve kanë nisur të ndihen në Kosovë.

Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe ka hapur një front të ri tensioni, jo vetëm politik brenda vendit, por edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Qasja e disa anëtarëve të KQZ-së është cilësuar si penguese nga aktorë të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar, të cilët paralajmërojnë se kjo qasje po cënon integritetin e procesit zgjedhor dhe reputacionin e Kosovës.

Ambasada Amerikane u shpreh e shqetësuar, duke e quajtur vendimin “dritëshkurtër dhe përçarës”. Edhe Ambasada e Gjermanisë i bashkohet këtij qëndrimi, duke theksuar se moscertifikimi dëmton imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe ndikon negativisht në rrugën drejt integrimit evropian. Qendrimi i tyre është i qartë kur thon se zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zgjodhi t’i shmanget debatit të drejtpërdrejtë me ambasadat, duke dhënë një përgjigje të shkurtër:

“Ajo është çështje e Ambasadës dhe e KQZ-së. Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës.” Organizatat e shoqërisë civile shprehen se kjo nuk është hera e parë që KQZ devijon nga praktikat e mëparshme, duke ngritur shqetësime për standardet e procesit zgjedhor në prag të një gare të rëndësishme politike.

Teksa vendi futet në fazën e parë të përgatitjeve zgjedhore, tensionet mes institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë po e shënjojnë ambientin politik.

Ethet e zgjedhjeve duket se kanë nisur herët  dhe me to edhe përplasjet që mund të ndikojnë drejtpërdrejt në besueshmërinë e procesit që vjen.