KOSOVA “METOHI”, REAGON BDI/ Ali Ahmeti kërkon tërheqjen e librit të gjeografisë nga shkollat

Në Maqedoninë e Veriut ka shpërthyer debat i madh, pas zbulimit se në librin e Gjeografisë për klasën e VII-të Kosova paraqitet si “Metohi” dhe pjesë e Serbisë. Formulime të tilla janë cilësuar shtrembërime historike dhe identitare, duke nxitur reagime të ashpra nga mësimdhënës, prindër dhe nga kreu i BDI Ali Ahmeti, i cili kërkon tërheqja urgjente e librit dhe përgjegjësi institucionale për miratimin e tij.

Një debat i gjerë publik është hapur në Maqedoninë e Veriut,  pas raportimeve se në librin e Gjeografisë për klasën e VII-të, botuar nga “Trimaks” dhe miratuar zyrtarisht për vitin shkollor 2025, Kosova paraqitet si “Metohi” dhe pjesë e Serbisë.

Formulimet e identifikuara në njësinë mësimore për Kosovën janë konsideruar si shtrembërime të rënda historike dhe politike, duke shkaktuar reagime të forta nga mësimdhënës, prindër dhe aktorë politikë.

Polemikat kanë nisur me pohimin e librit se “Kosova gjendet në jugperëndim të Serbisë”, një formulim që, sipas ekspertëve të arsimit, nuk përdoret për asnjë shtet tjetër dhe i jep Serbisë rolin e pikë-referencës, pavarësisht se Maqedonia e Veriut e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Kritika edhe më e fortë vjen ndaj përdorimit të termit “Metohia” për Rrafshin e Dukagjinit, i cili në kontekstin shqiptar konsiderohet term politikisht i ngarkuar dhe pjesë e narrativave historike serbe.

Reagime ka shkaktuar edhe përdorimi i shprehjes “Mitrovica e Kosovës”, terminologji e përkthyer drejtpërdrejt nga forma serbe “Kosovska Mitrovica” dhe e papranueshme për një tekst mësimor, siç shprehen mësimdhënësit.

Në këtë debat është përfshirë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili ka reaguar me tone të ashpra.

KOSOVA “METOHI”, REAGON BDI/ Ali Ahmeti kërkon tërheqjen e

Në një komunikatë zyrtare, BDI thotë se libri përmban “tendenca, pasaktësi dhe devijime identitare” dhe akuzon strukturat shtetërore, përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe Komisionin për tekste shkollore, për miratimin e tij në vitin 2025.

Sipas BDI-së, lejimi i këtyre formulimeve tregon “servilizëm dhe vasalitet” ndaj narrativave të huaja dhe rrezikon edukimin e gjeneratave të reja.

BDI kërkon që libri të tërhiqet menjëherë nga përdorimi, të rishikohet dhe të korrigjohet përmbajtja sipas standardeve shkencore dhe politikës shtetërore të Maqedonisë së Veriut, ndërsa kërkon edhe përcaktim të përgjegjësisë institucionale dhe politike për miratimin e tij.

Ndërkohë, ekspertët e arsimit theksojnë se përdorimi i termave të tillë jo vetëm cenon neutralitetin akademik, por edhe krijon konfuzion tek nxënësit për statusin dhe historinë e Kosovës.

Ata kërkojnë që tekstet shkollore të harmonizohen me realitetin gjeopolitik dhe njohjen shtetërore të Kosovës nga Maqedonia e Veriut, duke shmangur interpretimet e gabuara që mund të ndikojnë në formimin e brezave të rinj.