“Ekonomia” miraton projektligjin për “Koncesionet”: Fizibiliteti i detyrueshëm, hiqen ofertat e pakërkuara

Komisioni i Ekonomisë miratoi sot projektligjin e ri “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i cili sjell një sërë ndryshimesh strukturore në mënyrën se si jepen koncesionet në vend, duke e përafruar kuadrin ligjor me atë të Bashkimit Europian.

Një nga risitë më të rëndësishme të projektligjit është heqja e propozimeve të pakërkuara, çka do të thotë se bizneset nuk do të mund të paraqesin më projekte koncesionare pa një procedurë publike paraprake.

“Propozimi i pakërkuar është hequr, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian, duke eliminuar përfundimisht këtë koncept nga ligji”, u shpreh drejtuesja e APP-së, Reida Kashta.

Projektligji parashikon se asnjë kontratë koncesioni nuk do të lidhet pa një studim fizibiliteti, i cili duhet të miratohet paraprakisht nga Ministria e Financave.

Po ashtu, kjo ministri do të ketë rol kryesor në vlerësimin e kontratave, monitorimin tremujor të zbatimit dhe përgatitjen e raportit vjetor për portofolin e PPP-ve.

Gjatë diskutimeve, deputeti i PD-së, Eno Bozdo, kërkoi që analiza e “value for money” dhe arsyetimi përse një projekt jepet me koncesion të jenë të publikuara.

“Duhet të jetë e qartë për publikun se pse jepet një projekt me koncesion, jo të lihet në dorë të një udhëzimi” deklaroi ai.

Ndërkohë, drejtori i ATRAKO-s, Emiliano Gjika, sqaroi se koncepti i “vlerës për para” do të përcaktohet me udhëzim të veçantë.

Një risi tjetër është ngritja e “Njësisë së Zbatimit të Kontratës” në çdo autoritet kontraktues, për të siguruar monitorim më të mirë të performancës dhe shmangur zvarritjet gjatë zbatimit të projekteve.

Me draftin e ri, e drejta për të lidhur kontrata koncesioni i jepet jo vetëm ministrive dhe pushtetit vendor, por edhe institucioneve kushtetuese e enteve të financuara nga buxheti i shtetit.

Projektligji pritet të kalojë për votim në seancë plenare në seancat e ardhshme.