Leao tremb Milanin, largohet nga fusha i dëmtuar në pjesën e parë ndaj Torinos

Milani ka marrë një goditje të rëndë në ndeshjen ndaj Torinos, pasi Rafael Leão u detyrua të braktiste fushën që në minutën e 31-të për shkak të një problemi fizik në zonën e ijeve.

Sulmuesi portugez u ndje i shqetësuar menjëherë pas një gjuajtjeje drejt portës dhe pas disa minutash nuk mundi të vazhdonte lojën.

Leão u zëvendësua nga Samuele Ricci, ndërsa fytyra e tij e tensionuar në pankinë tregoi qartë se shqetësimi nuk ishte i vogël, krejt ndryshe nga buzëqeshja e tij karakteristike.

Nën drejtimin e trajnerit Massimiliano Allegri, Milani po përjeton një periudhë të ndërlikuar me mungesa dhe humbja e Leãos vjen në një moment delikat të sezonit.

Kujtojmë se portugezi kishte humbur tashmë një muaj kompeticion dhe shtatë ndeshje më herët, për shkak të një dëmtimi në muskujt e pulpës.

Pavarësisht kësaj, ai ka arritur të regjistrojë shtatë kontribuime në gola në 11 ndeshje, duke qenë një nga lojtarët më vendimtarë të kuqezinjve.

Dëmtimi i Leãos shton shqetësimet për Milanin, i cili tani pret me ankth rezultatet mjekësore për të kuptuar shkallën e problemit dhe kohën e rikuperimit të sulmuesit të tij kryesor.