VIDEO/ Elbasani mund Vllazninë dhe rimerr kreun, Dinamo i jep leksion Flamurtarit
Dinamo ka marrë një tjetër fitore të rëndësishme, duke mundur 0-3 Flamurtarin në javën e 15-të të Superiores.
Takimi i luajtur në Vlorë foli vetëm për të besuarit e Ilir Dajës, të cilët kaluan në avantazh me Lorenco Vilën në minutën e 29’.
Goli i dytë erdhi nga Qefalija në minutën e 78’ dhe tre minuta nga fundi, ishte Aniekan James i cili shënoi dhe golin e tretë.
Me këtë fitore, Dinamo parakalon Vllazninë dhe ngjitet në vendin e tretë me 26 pikë, tre më pak se Elbasani kryesues.
Nga ana tjetër, Flamurtari ende nuk po del dot nga vendi i parafundit, ku numëron vetëm 13 pikë.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër Elbasani ka fituar supersfidën e javës së 15-të të Superiores, duke mundur 1-0 Vllazninë.
Sfida e luajtur në “Elbasan Arena” ishte tepër e luftuar, ku ‘plasën’ kartonët.
Madje në minutën e 27’, Gjini u ndëshkua me të dytin e verdhë duke i lënë shkodranët me 10 lojtarë.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 48’ nga Baise Tsague, duke i dhënë “tigrave” tre pikë tepër të rëndësishme.
Kështu, Elbasani rikthehet në vendin e parë të renditjes me 29 pikë, ndërsa Vllaznia bie në vendin e katërt me 25 pikë.

