Real Madridi me probleme, Camavinga dhe Huijsen jashtë skuadrës ndaj Manchester City-t
Real Madridi do të hyjë ‘i sakatuar’ në sfidën e Champions League të së mërkurës, 10 dhjetor, kundër Manchester City.
Humbja ndaj Celta Vigos nuk solli vetëm tronditje në rezultat, por edhe pasoja të rënda në repartin defensiv të skuadrës së Xabi Alonso-s.
Trajneri madrilen nuk do të ketë në dispozicion Trent Alexander-Arnold, Dani Carvajal, Éder Militão, Ferland Mendy dhe David Alaba, të gjithë të dëmtuar.
Situata rrezikon të përkeqësohet edhe më shumë, pasi Eduardo Camavinga dhe Dean Huijsen janë ende në fazë rikuperimi dhe, pavarësisht se nuk janë përjashtuar zyrtarisht, gjasat që ata të jenë gati për City-n janë minimale.
Problemet vazhdojnë: Jude Bellingham, Federico Valverde dhe Antonio Rüdiger përfunduan me shqetësime fizike ndeshjen e fundit në Balaídos.
Megjithatë, brenda klubit mbizotëron optimizmi se të tre do të rikuperohen në kohë për përballjen ndaj skuadrës së Guardiolës.
Nëse skenari aktual konfirmohet, Xabi Alonso rrezikon të përballet me një situatë kritike: një ekip i reduktuar në maksimum për një ndeshje vendimtare në Champions dhe deri në 10 mungesa të mundshme për sfidën e mëvonshme të LaLiga-s kundër Alavés-it.
