Bala: Protesta e 8 dhjetorit u ndërtua mbi kërkesa humaniste që bashkuan shqiptarët

I ftuar në emisionin "Drejt", në "Ora News", ishte analisti dhe ish-studenti i dhjetorit, Alban Bala, i cili rikujtoi përjetimet e tij gjatë protestave të 8 Dhjetorit, duke theksuar se ato lëvizje ishin të frymëzuara nga objektiva humaniste që bashkuan gjithë shqiptarët, pavarësisht sfidave dhe frikës së rritur nga regjimi.

" Ka një emocion të natyrshëm sepse në fund të fundit ne i kemi jetuar me shpirt ato ditë, i kemi jetuar me të gjithë pjesëmarrjen atë lloj zhvillimi që ishte një konfront shumë i madh me status quo-n e gjërave. Në të njëjtën kohë ishte një konftont shumë i madh me frikën thelbësore të prindërve tanë të cilët e kishin vuajtur regjimin.

Unë vija nga një origjinë e goditur politikisht. Në çdo pikëpamje kujtesa dhe rrethanat ishin kundër nesh. Në një farë mënyre ajo që po ndodhte gati, gati në zhvillimin tërësor të saj mund të të bindte shumë lehtë për të kundërtën.

Ne nuk kishim objektiva politike por objektiva humaniste. Unë kam përshtypjen që dhjetori 1990 ndërtohet mbi kërkesën specifike dhe kjo në një farë mënyre besoj unë bashkoi gjithë shqiptarët", u shpreh Bala.