IDU rezolutë për Shqipërinë/ Mediu: SPAK ka kontroll të plotë mbi gjykatat dhe gjyqtarët funksionojnë nën frikë dhe presion

Aleanca Globale e Partive të Qendrës së Djathtë, IDU, votoi rezolutën për Shqipërinë, ku theksohej se bashkimi i pushtetit politik, drejtësisë dhe krimit të organizuar përbën një kërcënim të rëndë për demokracinë dhe sigurinë evropiane.

Në këtë asamble mbajti fjalën e tij edhe kreu i republikanëve shqiptarë, Fatmir Mediu, i cili tha se reforma në drejtësi ka dështuar.

"Sot, sistemi i drejtësisë quhet vetëm “Prokuroria e Posaçme”, jo gjyqësori. Më korigjoni nëse gaboj, por besoj se gjykatat dhe gjyqtarët jo prokurorët janë ata që japin drejtësi. SPAK ka kontroll të plotë mbi gjykatat dhe gjyqtarët funksionojnë nën frikë dhe presion. Dhe ky sistem financohet nga SHBA, Britania dhe BE. Kjo nuk është drejtësi e pavarur."- tha Mediu

Teksa citon raportin e ODIHR për zgjedhjet, Mediu kritikon europianët, se për shkak të mbështetjes për Ramën, nuk thonë realitetin.

"Disa në Bruksel madje edhe disa nga familja jonë e IDU-së zgjedhin të mbyllin sytë. Ata pretendojnë se zgjedhjet ishin të lira, duke kundërshtuar raportet e tyre. Ata pranojnë propagandën mbi të vërtetën. Dhe kemi arritur një absurditet: vetëm sepse ne gjoja “përfshimë” një ish-menaxher të fushatës së Trump në zgjedhjet tona, disa na trajtojnë sikur jemi anti-evropianë"-kreu i republikanëve shqiptarë.

Në mbyllje të fjalës së tij, Mediu kritikoi kryeministrin Edi Rama për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që sipas tij “zhbënë koalicionet dhe dëmtuan partitë e reja”, duke deformuar garën politike.