I kërkuar nga Finlanda për trafik dr*ge, arrestohet 40-vjeçari nga Kosova në kufirin e Morinës

Policia Kufitare në pikën e kalimit në Morinë ka arritur të arrestojë një shtetas 40-vjeçar nga Kosova, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet finlandeze për trafikim lëndësh narkotike.

Shtetasi i identifikuar me inicialet Sh.H., është vënë në pranga teksa ka tentuar të hyjë në kufirin shqiptar.

Ndërkaq, bëhet me dije se 40-vjeçarit i ishte caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” nga Prokuroria e Helsinkit.

Pritet të realizohet menjëherë ekstradimi i tij drejt Finlandës.

Njoftimi i policisë:

PKK Morinë

I shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet finlandeze, për trafikim të lëndëve narkotike, kapet nga shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të RSh-së, 40-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, kapën në hyrje të RSh-së dhe arrestuan me qëllim ekstradimin, shtetasin kosovar:

Sh. H., 40 vjeç, banues në Kosovë.

Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Prokuroria e Distriktit Jugor Helsinki ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e 40-vjeçarit në Finlandë.