“Violinat e Shpresës”, projekti i violinistit Shlomo Mintz në Tiranë

Së shpejti në Shqipëri do të vijë projekti i titulluar “Violinat e Shpresës”, një organizim madhështor, me instrumenta muzikore artefakte nga kampet e përqendrimit gjatë Holokaustit.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili priti maestro Shlomo Mintz, një ndër figurat më të shquara të muzikës klasike botërore. 

Shlomo Mintz është një violinist dhe dirigjent izraelit me origjinë ruse. Ai performon rregullisht me orkestra dhe dirigjentë në skenat ndërkombëtare si dhe është pjesëmarrës në recitale dhe koncerte të muzikës së dhomës në mbarë botën.

Karriera e Mintz nisi që në fëmijëri. Shfaqja e tij e parë në skenë ishte në moshën 6-vjeçare dhe në moshën 11-vjeçare luajti si solist me Orkestrën Filarmonike të Izraelit.

Menjëherë pas kësaj, ai u thirr me urgjencë nga maestro Zubin Mehta për të luajtur Koncertin për Violinë Nr. 1 të Paganinit, Op. 6, me orkestrën kur Itzhak Perlman u sëmur. Shlomo Mintz bëri debutimin e tij në Carnegie Hall në moshën 16-vjeçare me Orkestrën Simfonike të Pittsburgh.

Projekti “Violinat e Shpresës” që Shlomo Mintz do të sjellë në Tiranë, është organizuar ndërkohë në: Paris, Jerusalem, Sion, Madrid, Charlotte, Monte-Karlo, Romë, Cleveland, Meksiko Siti, Sarasota e Buenos Aires.

Projekti ofron gjithashtu një ekspozitë me mbi 40 instrumente dhe historitë e tyre individuale.

Artisti izraelit dhe ministri i MTKS biseduan gjithashtu mbi ide e nisma të përbashkëta që do të pasurojnë jetën kulturore të vendit dhe do të mbështesin brezat e rinj të muzikantëve, duke përfshirë potencialin për masterkurse dhe programe që reflektojnë përvojën e tij të gjerë si themelues, drejtues artistik dhe anëtar jurish në konkurse ndërkombëtare nga më të njohurat.