FELT inkurajon të rinjtë në rrugën e letërsisë

Organizata irlandeze e shkrimit krijues, “Fighting Words”, erdhi në Tiranë në kuadër të Festivalit të Letërsisë Evropiane (FELT) 2025.

“Fighting Words” inkurajoi të rinjtë të tregojnë historitë e tyre përmes fjalës.

Takimi u zhvillua në Teatrin e Kukullave, ku në bashkëpunim me Ambasadën e Irlandës në Greqi, për dy ditë me radhë, fëmijët nga Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve shpikën personazhe, krijuan botë të reja dhe shkruan tregime së bashku me autorët e “Fighting Words”.

Këto krijime do të mblidhen në një botim të veçantë dhe do të prezantohen natën përmbyllëse të Festivalit të Letërsisë Evropiane në Tiranë.

FELT inkurajon të rinjtë në rrugën e letërsisë

Përfaqësuesit e “Fighting Words” u takuan edhe me Suad Arilla dhe Antonio Çikollari, dy shkrimtarë të rinj shqiptarë, për një bisedë të hapur mbi fillimet në letërsi, emocionin e tekstit të parë të botuar dhe momentet kur një histori të çon në një drejtim krejt tjetër nga ç’e kishe menduar.

Ata folën për procesin e të shkruarit, për refuzimet dhe dyshimet që e shoqërojnë shpesh këtë rrugë, për gëzimin e një teksti të botuar, duke u treguar shkrimtarëve të rinj në audiencë se pas çdo libri ka shumë punë, durim dhe sprova.

Ky është edicioni i dytë i FELT-it i cili këtë vit zhvillohet në datat 2-6 dhjetor duke i sjellë Tiranës një maratonë leximesh, bisedash dhe aktivitete me autorë nga Evropa.