VIDEO/ “Audi” që dyshohet se u përdor për vr*sjen e Mondi Mëhallës filmohet "në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë një ditë para ngjarjes"

“Audi”-i që shfaqet në video dyshohet se është automjeti i përdorur nga autorët në vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla, i ekzekutuar mbrëmjen e së dielës në Elbasan.

Sipas Syri.net pamjet janë regjistruar një ditë para ngjarjes dhe tregojnë makinën e zezë të parkuar në një garazh. Sipas burimeve, automjeti dyshohet se është nxjerrë nga aty nga Marsel Arani, në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë.

Biznesmeni Mëhalla u qëllua me disa plumba, dy prej të cilëve e goditën në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Policia ka shpallur në kërkim Marsel Aranin, banues në Elbasan, dhe Armando Kolën nga Laçi. Të dy dyshohen për përfshirje në ekzekutim, ndërsa rolet e tyre në vrasje nuk janë përcaktuar ende. Arani ndodhej në masën “arrest shtëpie” për një çështje tjetër penale.

Ndërkohë, janë vënë në pranga:

Xhino Ago, 32 vjeç, ish-ortak i viktimës, i dyshuar se ka vënë në dispozicion makinën që dyshohet se u përdor nga autorët;

Kujtim Pisha, 52 vjeç, roje në karburantin e Mëhallës, i dyshuar për moskallëzim krimi.

Sipas hetimeve paraprake, pista kryesore lidhet me një konflikt të mëparshëm mes dy ish-partnerëve të biznesit, Edmond Mëhallës dhe Xhino Agës.