Isopolifonia shqiptare/20 vjet në listën e pasurive të njerëzimit, Studiuesi Tole: Mbrojtja nga UNESCO, përhapi kulturën shqiptare

Këto tinguj janë pjesë e një tradite që të mahnit, qoftë kur e dëgjon për herë të parë, qoftë kur je rritur me të. Një këngë që të drithëron me lashtësinë, harmoninë dhe fuqinë shpirtërore që mbart ndër shekuj.

Isopolifonia shqiptare shënon 20 vjet nga shpallja si “Kryevepër e Trashëgimisë Gojëdhënëse të Njerëzimit”, një vlerësim që e ngriti këtë formë unikale të këngës shumëzërëshe në piedestalin e kulturave më të rralla të botës.

Kompozitori dhe studiuesi Vasil Tole vlerëson se përfshirja nën mbrojtjen e UNESCO-s ka sjellë përhapje të kulturës sonë kombëtare në mbarë botën.

Nga malet e Kurveleshit deri te brigjet e Himarës, isopolifonia ka qenë dhe mbetet gjithmonë më shumë se këngë  një simbol i identitetit kombëtar dhe një mënyrë për të ruajtur historinë përmes zërit.

Isopolifonia vazhdon të dëgjohet në festa, ceremoni dhe edhe në skena botërore, ndërsa rreziku për zhdukjen e saj nuk ekziston.

Dhe ky përvjetor është një kujtesë se sa e rëndësishme është ta ruajmë dhe t’ua përcjellim brezave që vijnë.