Xhixho: Fermerët shqiptarë nuk mbështeten, prodhimi vendas nuk subvencionohet
Deputetja e PL, Erisa Xhixho përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se edhe këtë vit, buxheti për bujqësinë është vetëm 2.9% të PBB-së, shumë larg nevojave të këtij sektori.
Postimi i Xhixhos:
Edhe këtë vit, buxheti për bujqësinë është vetëm 2.9% të PBB-së, shumë larg nevojave të këtij sektori.
Fermerët shqiptarë nuk mbështeten, prodhimi vendas nuk subvencionohet.
Kjo shpjegon prodhimin stok që fermerët detyrohen ta hedhin në rrugë dhe mbytjen e tregut vendas nga importet.
Le të bëjmë një krahasim të subvencioneve me vendet fqinje për vitin e ardhshëm.
Shqipëria - 53 milionë euro
Kosova - rreth 200 milionë euro
Maqedonia - rreth 300 milionë euro
Serbia - 800 milionë euro
Ky krahasim mjafton për të kuptuar sa larg jemi me mbështetjen për fermerët.
Ndërkohë korrupsioni qeveritar u ka hequr fermerëve shqiptarë edhe mundësinë për të përfituar nga fondet e IPARD plot 112 milionë euro, pasi janë ende të bllokuara.
Gjithashtu skandalet me sigurinë ushqimore nuk kanë të ndalur.
Vetëm pak muaj më parë, 10 tonë mandarina u kthyen nga Kroacia për shkak të nivelit të lartë të pesticideve, ndërsa së fundmi në Elbasan u bllokuan 50 tonë misër me aflatoksinë.
Këto nuk janë thjesht statistika; janë produkte që mund të kenë përfunduar në tryezën e çdo familjeje shqiptare.
Bujqësia dhe prodhimi nuk do të jenë prioritet as në buxhetin e 2026-s, pasi prioritet për këtë qeveri janë lista e PPP dhe koncesioneve korruptive.
