Rooney kritikon Liverpool-in: Vde*ja e Jota-s ka ndikuar, por nuk i justifikon disa gjëra
Liverpooli po kalon një nga momentet më të vështira të viteve të fundit.
Skuadra kampione në fuqi ka pësuar gjashtë humbje në shtatë javët e e fundit dhe ka rrëshqitur deri në vendin e 11-të të Premier League-s, një krizë e thellë që ka hapur diskutime të shumta mes ish-lojtarëve dhe analistëve, përfshirë Wayne Rooney.
‘Ish’-ylli i Manchester United beson se tragjedia që goditi Diogo Jota-n dhe vëllanë e tij, André Silva, ka pasur pa dyshim një efekt emocional tek skuadra.
Megjithatë, Rooney paralajmëron se kjo nuk mund të shndërrohet në “një justifikim për të mos luftuar ose për të shmangur duelet”.
Duke folur në podcast-in “The Wayne Rooney Show”, ai vuri në dukje se Mohamed Salah “nuk po ndihmon mjaftueshëm në fazën mbrojtëse”, gjë që, sipas tij, mund të dërgojë një sinjal të gabuar tek lojtarët në stol.
“Nëse një lojtar simbol nuk vrapon, çfarë mesazhi u jep të tjerëve?”, pyeti ai.
Rooney e pranon se grupi është i tronditur nga ajo që ka ndodhur me Jota-n, por këmbëngul: “Duhet të ketë një efekt, pa dyshim, por kjo nuk e justifikon mungesën e agresivitetit”.
Ndërkohë, trajneri Arne Slot, tashmë nën presion të madh pas rezultateve zhgënjyese, ka theksuar se nuk do të përdorë kurrë tragjedinë e Jotës si alibi.
Drejtuesit e klubit po mendojnë për të ardhmen e teknikut holandez, i cili sezonin e kaluar fitoi titullin, por tani po kalon një stuhi të vërtetë.
Sipas Rooney-t, tifozët duhet “të vazhdojnë ta mbështesin trajnerin” dhe të mos përmendin vazhdimisht emrin e Jürgen Klopp-it në Anfield.
Me 18 pikë në 12 ndeshje, Liverpooli është tashmë 11 pikë larg Arsenalit kryesues. Për “Reds”, rruga drejt rikthimit në majën e Premier League-s është bërë papritur shumë më e vështirë.
