Njihuni me "surprizat" e motit gjatë kësaj të mërkure dhe të enjten

Aktivizimi i Ciklonit të Islandës do të kushtëzojë kushtet atmosferike në Britaninë e Madhe dhe brigjet veriperëndimore të Europës, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta ere si pasojë e stuhisë Claudia. Stuhitë dhe reshjet intensive do të përjetohen dhe në gadishullin e Ballkanit.

Ndërkohë, ne Europën Qendrore, gadishulli Iberik dhe Skandinav do të mbizotërojnë kushte të qëndrueshme atmosferike me kthjellime dhe vranësira të pakta gjatë gjithë 24-orëshit.

Sipas MeteoAlb, territori shqiptar do të vijojë nën ndikimin e shirave intensivë duke sjellë probleme me përmbytjet në shumë zona të vendit si në Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Vlorë. Pasdita do të sjellë intensifikim të reshjeve në të gjithë territorin.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë renie nga 5°C deri në 19°C.Era do të fryjë e fortë me shpejtësi mbi 70 km/h nga drejtimi jugor, me dallgëzim deri 6 ballë.

Europa Juglindore do të jetë nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike me rrebeshe shiu dhe stuhi të forta ere.

Europa Qendrore dhe Veriore do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të ftohta me origjinë polare, duke sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave. Lindja e kontinentit do të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta.

Sipas MeteoAlb, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e vranësirave të shumta dhe reshjeve të shiut që në orët e para të mëngjesit, me intensitet më të lartë në zonat veriperëndimore dhe jugperëndimore. Mesdita sjell dobësim të reshjeve, ndërsa gjatë natës pritet shtim i vranësirave dhe reshjeve në të gjithë territorin. Temperaturat e ajrit do të luhaten nga 5°C deri në 20°C. Era do të fryjë me shpejtësi mbi 85 km/h nga drejtimi jugor-juglindor, duke sjellë dallgëzim mbi 6 ballë në brigjet detare.