EMRI+ FOTO/ U gjet me pr*nga në duar në makinën e djegur, zbulohet identiteti i shqiptarit
Autoritetet greke kanë zbuluar identitetin e shqiptarit që u gjet me pranga në duar dhe i shkrumbuar në sediljen e pasme të makinës në Skourta të Viotias. Ndërkohë po priten analizat e ADN-së, për konfirmim zyrtar.
Bëhet fjalë për 27-vjeçarin Sulo Astrit Halili nga Becishti, Tepelenë, i cili rezulton i zhdukur prej pasdites së 4 nëntorit. Ai mësohet se kishte ikur nga banesa e tij në Halkida dhe prej atëherë nuk ka dhënë shenja jete, ndërkohë që mjeti i tij është gjetur i braktisur në Vilia të Athinës.
Halili përshkruhet si shtatshkurtër, rreth 1.70 m, flokë të shkurtër ngjyrë kafe të errët, sy kafe dhe është i dobët. Ai ka mjekër dhe një tatuazh në krahun e majtë me dy trëndafila, një yll dhe shkronja. Ditën që u zhduk, ai mbante veshur një këmishë të zezë, xhinse të zeza Cargo dhe atlete të bardha.
Autopsia e trupit të gjetur të djegur të premten, ka zbuluar se viktima ishte qëlluar një herë me armë zjarri dhe më pas ishte djegur. Ai u gjet me pranga në sediljen e pasme të një mjeti te vjedhur në Glifadha dhe me targa të një mjeti të ngjashëm në Katerini.
Gjithashtu Policia dyshon se viktima mund të jetë përfshirë në veprimtari kriminale ose është gjetur në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Ngjarja u zbulua nga një gjuetar, i cili njoftoi autoritetet pasi pa skenën e rëndë. Mjeti ishte vjedhur nga një zonë e Atikës në maj dhe kishte targa të falsifikuara, sipas informacioneve fillestare nga Katerini.
