KQZ shpall rezultatet paraprake në Kosovë: LDK kryeson me 5 komuna, ndiqet nga VV
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet paraprake për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Në të gjitha komunat ka përfunduar plotësisht votimi, ndërkaq në platformën online, sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, do të azhornohen edhe dy vendvotime për Mitrovicën e Jugut.
“Rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të numëron votat e diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe votat me kusht”, tha ai.
Sa i përket votave nga diaspora, ai tha se pret që nga java e ardhshme ato të arrijnë në Kosovë dhe një javë më pas të përmbyllet numërimi i të gjitha votave.
Sipas rezultateve për raundin e balotazhit, LDK-ja ka fituar në pesë komuna, LVV-ja dhe AAK-ja në katër secila dhe PDK-ja në tre komuna.
Tahiri uron Pecin për fitoren në Mitrovicë të Jugut
Arian Tahiri i PDK-së ia ka uruar fitoren në Mitrovicë të Jugut kundërkandidatin e tij nga LVV-ja Faton Peci.
Numërimi i votave në këtë komunë ende nuk ka përfunduar, ku kanë mbetur edhe dy kuti.
Prebreza: Pas 25 vjetësh, pushteti komunal në Fushë Kosovë po i kthehet qytetarëve
Valon Prebreza, kandidat i LVV-së për Fushë Kosovë, tha se pas 25 vjetësh, “pushteti komunal në Fushë Kosovë po i kthehet qytetarëve”.
Ai falënderoi kryetarin e partisë së tij, Albin Kurti, për mbështetjen, por edhe qytetarët.
“Kjo fitore është fitore e qytetarëve të Fushë Kosovës”, tha ai, teksa Kurti, që është kryeministër në detyrë i Kosovës, i premtoi “mbështetje të fuqishme” nga ekzekutivi kosovar.
LDK-ja e kishte udhëhequr këtë komunë që nga përfundimi i luftës.
Kurti: LVV-ja fitoi katër komuna në balotazh
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se në bazë të rezultateve që kanë marrë nga komisionarët, partia e tij ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Fushë Kosovë, Obiliq dhe Gjilan në rundin e balotazhit.
Në total, në këto zgjedhje lokale, LVV, tha Kurti, ka fituar në shtatë komuna.
“Ky është një sukses i LVV-së. Natyrisht që kemi synuar më shumë se kaq”, tha ai.
Kurti tha se në partitë e tjera u bashkuan kundër LVV-së në rundin e balotazhit, prandaj ky rezultat “është një sukses i LVV-së”./ REL.


