"Në çështjen e Kosovës u përfshiva në maj ‘98"/ Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK, diplomati Christopher Hill dëshmon në Hagë: Kam punuar me presidentin Sllobodan Millosheviç 

Ish-emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Hill, po jep dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës, ku të pranishëm në sallën e gjyqit janë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Avokati i Thaçit, Lluka Misetiç, pyeti Hillin se kur ishte përfshirë për herë të parë për zgjidhjen e tensioneve në Kosovë. Në përgjigje, Hill theksoi se është përfshirë për herë të parë në maj të vitit 1998. 

“Mora një telefonatë nga sekretarja e Shtetit e asaj kohe, Madeleine Albright, e cila më kërkoi që përveç detyrave të mia si ambasador amerikan në Maqedoni, të merrja përsipër edhe postin e të dërguarit të posaçëm në Kosovë”, tha ai.

Avokati mbrojtës vazhdoi më tej me pyetjet rreth komunikimeve të Hillit si i dërguar amerikan në konfliktin e Kosovës. Hill dëshmoi se ka biseduar me të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë.

“Ka qenë e rëndësishme të bisedonim me palët e ndryshme, të cilat do të ishin pjesë e zgjidhjes ose problemit pastaj. Kam kaluar shumë kohë në përpjekje për të komunikuar me njerëzit qoftë nga pala serbe apo ajo e Kosovës”, tha ai.

I pyetur nga avokati mbrojtës se me kë kishte punuar nga pala serbe, Hill u përgjigj: “Kam punuar me presidentin Sllobodan Millosheviç dhe ekipin e tij, ku përfshiheshin ish-ministri i Jashtëm, zoti Milletinoviç.Nga pala serbe ishte shumë e kufizuar, ishte kryesisht Millosheviç”.

Hill shtoi se për të ka qenë sfidë e madhe ta gjente dikë me autoritet për të biseduar në Kosovë: “Ishte e vështirë të gjesh njerëz që flisnin me autoritet. Nuk ishte problem të gjeje dikë që jepte mendim, por ishte problem të gjeje dikë që fliste me autoritet. Një prej personave ishte natyrisht, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova. Por, Rugova nuk ishte personi i vetëm me të cilin mund të komunikoje në Kosovë, sepse nuk i përfaqësonte të gjitha pikëpamjet”.

Hashim Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Kadri Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Jakup Krasniqi zëdhënës, ndërsa Rexhep Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm. Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë. Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët. Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.