“Beratasit e dinë se kë do të zgjedhin”Demo: Kandidati që do të fitojë, do të ketë mbështetjen time si ministër
Ministri i Pushtetit Vendor dhe njëkohësisht i deleguari politik i qarkut Berat, Ervin Demo u bën thirrje qytetarëve të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Në një prononcim për mediat Demo tha se qytetarët e kanë shumë të qartë se kë do të votojnë dhe së kush është zgjidhja.
Ervin Demo: Qytetarët e Beratit e kanë shumë të qartë se kush do të jetë zgjedhja dhe zgjidhja. Beratasit e dinë se kë do të zgjedhin. Pavarësisht se në Berat është bërë një transformim i jashtëzakonshëm, padyshim që ne kemi dhe shumë sfida. Ai që do të zgjidhet do i çojë para këto projekte dhe do të ketë mbështetjen time.
Ka disa projekte shumë të bukura gjatë vitit 2026 për Bashkinë e Beratit. Këto janë zgjedhje të pjesshme, afatet kanë qenë më të ngushta, në të pesta bashkie PS ka marrë angazhimin maksimal…Ne kemi nevoja për te bere investime te metejshme.
Ai qe do te drejtoje bashkinë e Beratit, do te vazhdoje edhe projektet e nisura dhe do te ketë mbështetjen time si ministër. Kandidati i Partisë Socialiste është pritur shume mire nga qytetaret dhe besoj fort qe ajo qe do te ndodhi nesër është ri konfirmimi i drejtimit te bashkisë nga kandidati jone.
Rreth 335 mijë qytetarë janë thirrur sot në votime për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj në pesë bashki të vendit: Vlorë, Tepelenë, Berat, Cërrik dhe Mat.
Bashkia me numrin më të madh të votuesve është Vlora, me afro 171 mijë zgjedhës, ndërsa më e vogla është Tepelena, me rreth 13 mijë votues.
Në këto zgjedhje, Partia Socialiste ka kandiduar Brunilda Mersinin në Vlorë, Ervin Cecën në Berat, Gramoz Sakon në Tepelenë, Florenc Dokën në Cërrik dhe Altin Bojnin në Mat.
Opozita e bashkuar nuk ka paraqitur kandidatë politikë, por ka vendosur të mbështesë kandidatë të pavarur.
Në Vlorë, ajo mbështet Dionis Sotën, ndërsa në garë ndodhet edhe Gjergj Nika, anëtar i Këshillit Bashkiak i zgjedhur në listat e Partisë Demokratike në vitin 2023.
Për Bashkinë e Beratit, opozitarët mbështesin Pavlo Shkarpën, në Tepelenë garon Gabriel Guma, ndërsa në Cërrik janë në garë Amarildo Hoxha (i pavarur) dhe Eligert Hima, përfaqësues i “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Në Mat konkurrojnë Eduart Brahilika (i pavarur) dhe Suzana Pasha, ish-drejtuesja e Forumit të Gruas në PS.
Për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë procesit zgjedhor, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash. Mbi 600 efektivë do të jenë në terren përgjatë gjithë ditës, ndërsa janë marrë në ruajtje 473 qendra votimi dhe 9 godina ku ndodhen Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), ku do të zhvillohet edhe numërimi i votave.
Kryebashkiakët që do të zgjidhen nga ky proces do të ushtrojnë mandatin e tyre deri në vitin 2027, kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e radhës për pushtetin vendor në të gjithë vendin.
