Sula: Qeveria varfëron arsimin dhe pasuron oligarkët, buxheti 2026 e zhyt më thellë në krizë dijen dhe rininë shqiptare

DEKLARATA E DREJTUESES SË DEPARTAMENTIT TË ARSIMIT NË PD, LILI SULA

Buxheti për arsimin dhe shkencën, që u paraqit nga qeveria, tregon atë ç’ka ka njoftuar Partia Demokratike disa herë, se arsimi parauniversitar, arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor, nuk konsiderohen prioritete të zhvillimit të vendit.

Ndërmjet financimit të arsimit dhe edukimit dhe financimit të koncesioneve të oligarkëve, qeveria zgjedh të financojë oligarkët dhe klientët e saj.

Buxheti për arsimin dhe shkencën në 2.53% të PBB-së, nuk përputhet as me rëndësinë strategjike të sektorit, as me nevojat urgjente të adresuara nga institucionet ndërkombëtare, as me ndalimin dhe zgjidhjen e krizës së sistemit parauniversitar dhe të lartë.

Kujtojmë se Vlerësimet e fundit ndërkombëtare, si PISA, treguan rënien alarmante të nivelit të nxënësve tanë. Ndërkaq, universitetet tona nuk përmbushin asnjë nga treguesit e cilësisë, dhe nuk arrijnë as të vlerësohen dhe as të rankohen në vlerësimet ndërkombëtare.

Ligjërimi i përdorur, në ato që qeveria i konsideron prioritete 2026-2028 në arsim, tregon për papërgjeshmërinë e saj për këtë fushë me rëndësi përcaktuese për sot dhe të ardhmen e vendit. Flitet në mënyrë të përgjithshme, pa asnjë të dhënë statistikore për probleme të rënda të arsimit që kanë ardhur duke u përkeqësuar nga viti në vit, si për Rritjen e numrit të fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor; për reduktimin e numrit të klasave kolektive, në arsimin parauniversitar.

Pretendohet të rritet numri i nxënësve që do të ndjekin arsimin e mesëm duke lënë jashtë sistemit arsimor 16% të nxënësve 15-vjeçarë, minorenë të pambrojtur ndaj papunësisë, varfërisë dhe margjinalizimit social – objektiv që nuk na largon nga anëtarësimi në BE.

Me këtë financim;

● Arsimi parauniversitar do të vijojë me pamundësitë e zhvillimit të cilësisë së shërbimit.

● Arsimi profesional do të vijojë të mos përmbushë rolin dhe funksionet e tij.

● Arsimi i lartë do të vijojë me problemet për zhvilluar këtë të mirë publike.

● Studiuesit do të vijojnë të sfidohen në veprimtaritë e tyre kërkimore. Fondi për kërkimin shkencor është vetëm 0.06% e PBB-së, i pakrahasueshëm me buxhetin e vendeve të BE e shumë më i ulët krahasuar me vendet e rajonit.

● Nxënësit dhe studentët do të vijojnë të përballen me vështirësitë e shkollimit dhe me ofertën arsimore më të ulët në rajon dhe më gjerë.

● Mësuesit, pedagogët dhe kërkuesit do të vijojnë të kenë statusin profesional e financiar më të ultë në vend dhe në rajon.

Është e qartë se me financimin prej 2,5 % të PPB, gati 10 herë më të ulët se vendet e OECD dhe BE, qeveria nuk ka asnjë objektiv për ta nxjerrë arsimin nga gremina e të ndërmarrë reforma reale që e afrojnë me standardet europiane.

Prej 13 vitesh kryeministri Rama mashtron shqiptarët për buxhetim 5% të PBB të arsimit dhe shkencës dhe sot ende nuk jemi në vlerën e buxhetimit të qeverisjes se Partisë Demokratike. Prej 13 vitesh rinia emigron për të studiuar e punuar jashtë vendit, duke i lënë bosh auditorët – qeveria mbyll sytë para plagës kombëtare të shpopullimit. Në buxhetin 2026 nuk ka asnjë plan e zë për të kthyer të rinjtë në atdhe. Qeveria vijon të gënjejë hapur për mbështetje me bursa për studentët që ndjekin degët prioritare .

Arsimi është pasuria më e madhe e shoqërisë me fuqinë transformuese më të madhe e të pakrahasueshme me çdo investim tjetër dhe qeveria duhet ta kishte prioritet. Por ky buxhet dëshmon vazhdimësinë e një politike që nuk e sheh dijen si investim kombëtar.