Pr.buxheti 2026/ Malaj: Nga janari paga minimale 500 euro, indeksojmë pagat e administratës! Kostoja 10 mld lekë
Ministri i Financave, Petrit Malaj prezanton në Konferencën e Kryetarëve pr.buxhetin për 2026, ku theksoi se nga janari paga minimale do të shkojë në 500 euro nga 400 euro që është aktualisht. Për herë të parë, pagat e administratës do të indeksohen me 2.5%. Kostoja për rritjen e pagave dhe indeksimin do jetë 10 mld lekë.
“Nga 1 janari paga minimale rritet me 10 mijë lekë, duke e çuar me 50 mijë leke, dhe 70 mijë lekë në përfundim të mandatit, për t'u përafruar me vendet e tjera në rajon dhe me gjerë.
Do të nisim për administratën zbatimin indeksimit të pagave 1 herë në dy vite. Rritje page për punonjësit e sektorëve, mbështetës, kostoja e pagës minimale dhe indeksimi parashikohet të jetë rreth 10 mld lekë dhe prek 144 mijë punonjës qoftë të nivelit qendror apo vendor.
Vëmendja kryesore është te qytetarët, s’do mund ti kthenim politika konkret nismat nëse s’do kishim ekonomi të fortë dhe të qëndrueshme. Për vitin 2025, rritja ekonomike do të jetë 3.9%. Rritja gjatë kësaj periudhë është gjeneruar nga kërkesa e brendshme, konsumi privat investimet dhe eksportet, në veçanti turizmi i cili vijon të jetë një nga motorët e rëndësishëm të ekonomisë tonë. Shkalla e papunësisë nga ana tjetër, ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 8.5% në tremujorin e dytë të këtij viti. Shqipëria po ecën me ritme drejt forcimit të stabilitetit ekonomik fiskal duke afruar ekonominë me standardet e BE”, tha Malaj.
Malaj thekson se përparësi për buxhetin e ri janë financat publike, plani i rritjes si dhe rritjen e standardeve të jetesës së qytetarëve.
“Hartimi i projektbuxhetit vjen si rezultat i një pune të gjatë. ku janë marrë në konsideratë të gjitha angazhimet e qeverisë, objektivat e zhvillimit ekonomik e social të vendit, si dhe prioritetet që lidhen me procesin e integrimit në Bashkimit Evropian.
Projekt buxheti 2026 i miratuar tashmë nga Këshilli i Ministrave dhe që paraqesim sot në këtë konferencë, Reflektojnë qartë prioritetet e programit të qeverisë 2025-2029, për financat publike më të shëndosha, për financimin e planit të rritjes, zhvillimin gjithëpërfshirës të ekonomisë, por mbi të gjitha kombinimin dhe angazhimin tonë konstant për rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë, që është edhe kryefjala e këtij dokumenti.
Me 886.7 miliardë lekë shpenzime publike të parashikuara, fokusi do të jetë te mirëqenia sociale, te ndihmë e investimeve për një infrastrukturë më moderne, te përsosja e sistemeve digjitale, te zhvillimi i energjisë së gjelbër, si dhe te zhvillimi i kapitalit njerëzor”, tha Malaj.

