Koçibellinj: Ngjarjet e djeshme ishin të paralajmëruara, reagojmë vetëm pasi humbet një jetë
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Ora News”, sociologia Suela Koçibellinj analizoi ngjarjet e rënda që tronditën vendin një ditë më parë, duke theksuar se ato nuk ishin të rastësishme, por probleme të kahershme të lëna pa zgjidhje.
" Dita e djeshme ishte e tmerrshme për Shqipërinë tonë të vogël. Nuk dua të ec me faktin që mund të ketë qenë koeçidencë dhe gjërat ndodhën në një ditë sepse nëse qëndrojmë këtu është shumë e thjeshtë për ta trajtuar.
Dje, ndodhën ngjarje të ndërtuara në kohë. Nëse flasim për të gjitha ngjarjet, të gjitha kanë qenë të parashikuara në një mënyrë ose një tjetër.
Pra, ka pasur shenja paraprake në rastin e marrjes së jetës në Tiranë nga dy të rritur për shkak të bullizimit. Nuk është një ngjarje e cila filloi dje e mbaroi dje. Kishte filluar prej vitesh. Patjetër secili kishte problematikat e tij personale, por gjithsesi në marrëdhënien mes njëri-tjetrit ata kishin kohë që e kishin një konflikt të tillë, në mënyrën e komunikimit e nuk ishte zgjidhur dhe nuk ishte sheshuar e nuk kishin ndihmuar për ta rindërtuar dhe një herë marrëdhënien e shëndetshme me njëri tjetrin.
Në rastin e djalit me probleme mendore që i merr jetën të atit. Kjo është një situatë alarmante, një rrezik i pranishëm në familje e në shumë familje shqiptare që kanë persona me probleme mendore të rrezikshme në familjet e tyre.
Pra, këto janë ngjarje të njoftuara, janë aty prezentë, thjesht nuk merren masa dhe lihet deri në pikën që ne duhet të flasim gjithmonë kur njerëzve iu ikën jeta", u shpreh Koçibellinj.
