Dumani: Në vetëm 6 vite, SPAK arriti të zbatojë parimin se asnjë nuk është mbi ligjin

Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Altin Dumani mori pjesë në takimin hyrës të projektit të Bashkimit Europian për Edukimin dhe Qeverisjen Rajonale “EU4EduGovRegAL” në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, financuar nga BE.

Në takim, Dumani mbajti një fjalë para studentëve të këtij universiteti në Gjirokastër, ku ka folur për arritjet e SPAK, vlerësimet në raportet ndërkombëtare për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ndihmën që i ka dhënë Shqipërisë për të përmirësuar rezultatin në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024 të Transparency International.

Dumani u ndal edhe tek rezultatet 6-vjeçare të Reformës në Drejtësi.

“Takimet me studentët na japin energji dhe na kthejnë pas në kohë, kur ëndrrat tona ishin më të mëdha se ne. Aktualisht, dua t’ju nxis që të përkushtoheni për t’i realizuar ato, në dobinë tuaj dhe në shërbim të vendit tonë.

Tema që na ka mbledhur sot është më shumë se një projekt; është një vizion për mënyrën se si duam të jetojmë dhe të kontribuojmë për një shoqëri më të drejtë, të ndershme dhe të denjë për familjen europiane”, tha Dumani.

Kreu i SPAK theksoi se “reforma në drejtësi, e mbështetur dhe e koordinuar edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë u realizua përmes ndryshimeve thelbësore kushtetuese, ligjore dhe institucionale.

Qëllimi i kësaj reforme është rritja e pavarësisë së sistemit, veçanërisht nga ndikimi politik dhe çlirimi i tij nga korrupsioni dhe paaftësia”.

Kreu i SPAK u shpreh se “në vetëm 6 vite, SPAK ka arritur të zbatojë parimin se asnjë nuk është mbi ligjin. Janë ngritur akuza të rëndësishme ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, të mesëm, gjyqtarë e prokurorë duke treguar që drejtësia është e barazuar me ligjin”.

“Një tjetër arritje e rëndësishme ka qenë goditja e grupeve të organizuara kriminale, përmes hetimeve të ndërlikuara financiare dhe ndërkombëtare, duke përdorur mjete bashkëkohore hetimi, përfshirë ndjekjen e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Përmes vendimeve të Gjykatës së Posaçme dhe sekuestrimeve të mëdha të aseteve, përfshirë edhe kriptovalutat, SPAK ka fituar besimin e publikut, një ndër elementët më të rëndësishëm të funksionimit të drejtësisë.

Unë besoj se çdo gjë nis nga mënyra individuale se si studiojmë, punojmë dhe sillemi në shoqëri”, nënvizoi Dumani.

Kreu i SPAK theksoi se arsimimi europian nuk është thjesht marrja e njohurive të reja, por mbi të gjitha formimi qytetar.

“Na mëson të vlerësojmë respektin për ligjin, meritokracinë dhe transparencën.

SPAK është një shembull që tregon se ndryshimi është i mundur.
Ky institucion është ndërtuar nga prokurorë dhe hetues shqiptarë, njerëz të këtij vendi, që kanë zgjedhur të punojnë me përkushtim, larg çdo ndikimi.

Ndaj, ky është modeli që ne duam të përcjellim te ju, që puna profesionalizmi dhe integriteti janë rruga e vetme drejt suksesit të qëndrueshëm”, shtoi ai.

Dumani u dha një mesazh të rinjve që synojnë të bëhen pjesë e sistemit të drejtësisë.

“Çdo student që zgjedh të jetë i ndershëm, çdo i ri që refuzon korrupsionin, çdo qytetar që kërkon llogari dhe angazhon përpjekjet e tij në këtë drejtim, është pjesë e një zinxhiri që forcon drejtësinë dhe e bën më të sigurt rrugën e vendit tonë drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi Dumani.