11 vite nga ndarja nga jeta e Doriana Hakës, Prokuroria e Apelit shpall pretencën për mjekët
Prokuroria e Apelit shpalli pretencën për dy mjekët Petrit Rexhepi dhe Elona Burba, të akuzuar, lidhur me rastin e vdekjes së Doriana Hakës, bashkëshortes së portierit të Partizanit Alban Hoxha, nëntorin e 2014 dy javë pasi solli në jetë fëmijën e saj të parë.
Për Petrit Rexhepin, mjek gjinekolog u kërkua dënimi me 9 muaj burgim, por për shkak të moshës mbi 70 vjec u kërkua pezullimi i ekzekutimit të vendimit dhe vënia në shërbim prove për një periudhë prej 18 muajsh.
Gjatë kësaj kohe Rexhepi duhet të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejë asnjë vepër penale.
Prokuroria kërkoi që Rexhepit t’i pezullohet licenca për 5 vite, duke mos pasur mundësi të ushtrojë profesionin.
Për reanimatoren Elona Burba u kërkua dënimi me 1 vit burg, si dhe heqja e licencës për 5 vite.
Me 10 nëntor kur edhe është caktuar seanca e radhës, mjekët do të paraqesin argumentet e tyre të mbrojtjes dhe pas më shumë se një dekade sorollatje në dyert e drejtësisë shqiptare, prindërit e Doriana Hakës do të mësojnë edhe vendimin përfundimtar të drejtësisë.
Familja e të ndjerës akuzon mjekët si përgjegjës për humbjen e jetës së Dorianës.
