Hoxha: Krijimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes forcon integritetin dhe transparencën në sistemin penitenciar
Në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, u shqyrtua sot në parim projektligji për “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.
Zëvendësministrja e Brendshme, Elona Hoxha theksoi se kjo nismë ligjore është me rëndësi të veçantë për integritetin e sistemit penitenciar dhe besimin e qytetarëve të shtetit të së drejtës.
Zëvendësministrja nënvizoi në fjalën e saj se “projektligji synon të konsolidojë mbikëqyrjen e brendshme në të gjithë zinxhirin e ekzekutimit të vendimeve penale nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, te policia e Burgjeve dhe Shërbimi i Provës, duke parandaluar kështu veprimtarinë e kundërligjshme, rritur transparencën dhe respektuar liritë dhe të drejta themelore të individëve”.
Hoxha u shpreh se “Agjencia ushtron veprimtari inspektuese, informative, gjurmuese, dhe hetimore, administron ankesa, kryen analiza rreziku dhe jep rekomandime sistematike, bashkëpunon me organet e zbatimit të ligjit dhe respekton parimet e ligjshmërisë, proporcionaliteti, konfidencialitetit dhe llogaridhënies”.
Duke u ndalur tek disa nga risitë e këtij projektligji, Hoxha tha se “janë krijimi i një agjencie të specializuar për mbikëqyrjen e gjithë sistemit te ekzekutimit të vendimeve penale me mandat të qartë ligjor; zgjerim i qartë i fushës së mbikëqyrjes; përfshirja e të burgosurve dhe personave nën mbikëqyrje nga Shërbimi i Provës si subjekte të mbrojtura dhe të verifikueshme; mandat i plotë inspektues dhe hetimor; si dhe trajtimi i ankesave të qytetarëve”.
“Në praktikë kjo nismë synon që të standardizojë dhe përshpejtojë trajtimin e ankesave, të ulë hapësirat për abuzim e korrupsion, të forcojë sigurinë dhe etikën e shërbimit penitenciar, si dhe përmirësojë rehabilitimin përmes mbikëqyrjes së përqendruar tek rreziku dhe evidenca”.
Hoxha tha se “Agjencia do të jetë ura që do të lidhë disiplinën e brendshme me pritshmërinë e qytetarëve, për respekt të dinjitetit njerëzor dhe rendit publik”.
“Ky është një hap i domosdoshëm për një sistem ekzekutimi të dënimeve penale, më të drejtë, më transparent dhe më të besueshëm, ndaj ju ftoj që ta mbështesim këtë projektligj në mënyrë që t’i japim vendit një mekanizëm modern mbikëqyrjeje në shërbim të vendit dhe qytetarëve”, tha Hoxha.
VIDEO - NGA PUNIMET E SOTME NE KOMISIONET PARLAMENTARE

