Raporti i Dumanit në Kuvend/ Hoxha: Kreu i SPAK tregoi që është i denjë për postin që ka
Avokati Arbër Hoxha, në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News”, komentoi raportimin e kreut të SPAK-ut në Kuvend dhe rolin e Parlamentit në kontrollin e institucioneve të drejtësisë.
" Ishte një raport korrekt, me të gjithë situatën e të krijuar ndoshta edhe në mënyrë të qëllimshme dhe nga deputetët e opozitës.
Nëse do të krahasojmë punën e zotit Dumani me punën e zotit Kraja, pavarësisht se zoti Kraja ka qenë edhe në hapat e para të Prokurorisë, besoj se e ka ngritur në një nivel tjetër. Tanimë është detyra e drejtuesit të ri, që do të zgjidhet në fund të dhjetorit të vitit 2025, që ta marr këtë punë dhe ta çoj akoma më para.
Për t'iu kthyer raportit në Kuvend, mendoj se parimi i pushtetit dhe ndarjes së pushteteve por dhe kontrollit të tyre, në rastin konkret është i disproporcionuar dhe sjell rezultate të tilla në Parlament.
Nga njëra anë Republika e Shqipërisë sipas Kushtetutës është Republikë Parlamentare, sovraniteti i popullit i delegohet të zgjedhurve të saj dhe patjetër që Parlamenti jo vetëm që është organi më i lartë legjislativ, është dhe organi më i lartë kushtetues.
Si të tillë, të gjithë drejtuesit e organeve kushtetuese, si drejtuesi i Prokurorisë, po ashtu edhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, kanë detyrimin që të japin shpjegime mbi punën e tyre 1 vjeçare", u shpreh ndër të tjera Hoxha.
