Xhafa: Agjencia Kombëtare e Diasporës, rol të rëndësishëm në votimin e emigrantëve

Drejtoresha ekzekutive e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, Ermonela Xhafa, raportoi sot në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën për masat e ndërmarra për forcimin e lidhjeve të diasporës shqiptare me Shqipërinë, si dhe integrimin, përfshirjen dhe kontributin e saj në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të vendit.

Në fjalën e saj, Xhafa përmendi disa nga aktivitetet më të rëndësishme të zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Diasporës.

Xhafa tha se “Agjencia Kombëtare e Diasporës ka ruajtur një rol shumë të rëndësishëm për votimin e emigrantëve. Kemi luajtur një rol të rëndësishëm në shpërndarjen e materialit, në përgjigjen ndaj emigrantëve, duke i orientuar ata me informacionin e duhur”.

“Kemi marrë pjesë dhe në mbledhjet e KQZ, duke nënvizuar faktin se një lehtësim i kësaj procedure ishte në benefitin e te gjithëve”, tha ajo.

Xhafa u ndal edhe tek aktivitetet didaktike e kulturore të organizuara nga kjo agjenci.

“Për herë të parë kemi arsimtare, kryesisht në Greqi, dhe paguhen për kontributin e tyre të çmuar, që japin mësime të gjuhës shqipe për fëmijët tanë në diasporë”, tha Xhafa.

Ajo shtoi se “kemi realizuar tre edicione të shkollës verore “Jam shqiptar”. Kemi organizuar tre edicione në vitet 2023, 2024, 2025, me fëmijë të shkollave të ndryshme nga vende të ndryshme. Kanë marrë një panoramë më të bukur të asaj që parqet Shqipëria dhe historia e saj”.

Gjithashtu, shtoi më tej Xhafa, Agjencia Kombëtare e Diasporës ka “organizuar Samitin e Gruas Shqiptare në Diasporë, i cili organizohet çdo vit me Dhomën e Biznesit të Diasporës, por jo vetëm, kemi dhe organizma ndërkombëtarë si GIZ, që mbështesin këtë lloj samiti. Po mendojmë ta organizojmë edhe këtë vit më 18 dhjetor që përkon, me mbledhjen vjetore të Këshillit Koordinues të Diasporës”.

Xhafa u ndal edhe tek organizimi i turit “Shqipëria përmes syve të të rinjve arbëreshë”, ku theksoi se ishte “shumë i suksesshëm” dhe se u transmetua edhe në Rai.

Më tej Xhafa tha se “kemi marrëdhënie dhe marrëveshje bashkëpunimi me 24 institucione, aktualisht me 17 prej tyre janë funksionale”.

Gjithashtu, Xhafa përmendi edhe aktivitetet për Ditën e Alfabetit dhe nismën Nisma “Dhuro Libra”, ku theksoi se “kemi dërguar libra falas në shumë vende”.

Xhafa theksoi se po përgatiten për Samitin e katërt të Diasporës që do të zhvillohet në janar të 2026.

“Është një sfidë që po zhvillohet me tematika aktuale duke përfshirë Inteligjencën Artificiale integrimin në BE, por jo vetëm”, tha Xhafa.

VIDEO -  NGA PUNIMET E SOTME NE KOMISIONET PARLAMENTARE