Shtyhet seanca në GJKKO ndaj Ilir Metës, Cakrani: Afati ligjor ka mbaruar, me Irena Gjokën nuk shtyhet më kjo punë
Seanca paraprake për dosjen e Ilir Metës është shyrë këtë të martë për shkak të mungesës së avokatit të Monika Kryemadhit. Seanca është shtyrë për më datë 11 nëntor.
Seanca nisi në orën 09:00 dhe gjyqtarja Irena Gjoka pritej të vendoste nëse dosja do të kalojë për gjykim apo do të rikthehet për hetime të mëtejshme.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani është paraqitur në gjykatë, ndërsa i pyetur nga gazetarët pas paraqitjes ai tha:
"Afati ligjor ka mbaruar, me Irena Gjokën nuk shtyhet më kjo punë. Halli i saj s'është i Metës", u shpreh Cakrani.
Kujtojmë që avokati Kujtim Cakrani ka deklaruar se Ilir Meta do të dalë nga qelia brenda muajit tetor.

Rreth një javë më parë GJKKO rrëzoi kërkesën e Ilir Metës për shuarjen e masës së sigurisë. Avokati i tij, Kujtim Cakrani tha se gjykata krijoi precedent të rrezikshëm me zotin Meta.
Sipas tij janë ezauruar afatet për qëndrim në paraburgim. Cakrani u shpreh nuk ekziston asnjë rrezik që Ilir Meta të ndikojë apo të prishë provat në këtë fazë të procesit, duke argumentuar se çdo masë sigurie tashmë është e pajustifikuar.
Ai akuzoi sistemin gjyqësor për mungesë të verdikteve të pafajësisë dhe për kthimin e sallave të gjyqeve në “toga pushkatimi”.
Ish-presidenti Meta është i arrestuar që prej tetorit të vitit të kaluar dhe është akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Hetimet ndaj tij u mbyllën nga SPAK më 28 korrik, ndërsa dosja u kalua për gjykim në fund të gushtit.
Ndërkohë GJKKO ka rrëzuar kërkesat e Metës për ndryshimin të masës së sigurisë ndërsa më 16 tetor, edhe Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-presidentit për të njëjtën kërkesë.

