Hamataj: Raportimi i Dumanit në Kuvend është formalitet dhe “show” i panevojshëm
Avokati Ermal Hamataj, në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News”, kritikoi raportimin e kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, në Kuvend, duke e cilësuar një proces formal dhe jo real.
" Në fakt sa i përket raportimit, zoti Dumani përpara Parlamentit mua më duket një falsitet total dhe një formalitet që ka ngelur aty për inertsi dhe vazhdon e bëhet.
Falsifitet nga ana Parlamentit, por nga ana tjetër edhe zoti Dumani bëhet pjesë e kësaj sepse është një detyrim ligjor.
Në momentin që je në një sallë Parlamenti, ku shumica ose disa prej tyre, ose janë aktualisht subjekte, ose presin për të qenë subjekte në të ardhmen në Prokurorinë e Posaçme, çfarë kuptimi ka të vendosësh të akuzuarin karshi akuzatorit për ti bërë pyetje.
Në këtë kuptim edhe ajo çka do të servirte në Parlament, patjetër që është joreale, jo e sinqertë dhe jo e nevojshme.
Nuk mundet kurrsesi një i pandehur të marrë në interpelancë prokurorin e çështjes.
Këto edhe në të ardhmen duhet që të kufizohen, sepse mund të bëhen edhe ne kuadrin shkresor dhe nuk është nevoja që të bëhet ai show në Parlament, ku ata bëjnë sikur pyesin për të mirën e përgjithshme, por në fakt pyesin për veten e vet e nga ana tjetër zoti Dumani bën sikur përgjigjet por në fakt nuk thotë asgjë", u shpreh Hamataj.
