Raportimi në Kuvend, Berisha: Dumani fliste si i kapur. Mospranimi i pyetjeve me gojë, akt i pashembullt
Nga foltorja e selisë blu, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se dita e djeshme regjistrohet në analet e parlamentit shqiptar si dita e kapitullimit pa kushte të pseudomazhorancës së krimit dhe jo vetëm asaj, por para shqiptarëve dhe mbarë botës, mercenarit të Edi Ramës, Altin Troplini.
DEKLARATA E BERISHËS
Të dashur qytetare dhe qytetarë, ju dje në një teatër tragjikomik patë se si pseudomazhoranca e tërë u angazhua të shkelë ligje, të shkelë Kushtetutën e vendit vetëm nën diktatin e Dumanit, i cili refuzonte të merrte pyetje me gojë direkt nga deputetët. Akt i pashembullt!
Në të gjitha parlamentet e botës, pyetjet bëhen me shkrim dhe me gojë. Dorëzohen me shkrim, në mënyrë që zyrtari që pyetet t’i jepet mundësia të përgatisë përgjigjet, lexohen nga autori i pyetjeve dhe ky është një standard.
Deputeti Tritan Shehu ndodhej dje me miqtë në parlamentin e Italisë dhe ai merrte në telefon, këtu kjo është gjëja më absurde. Por, i keqpërdoruri dhe i keqshfrytëzuari në ekstrem nuk duronte dot pyetjet, i dukeshin si shigjeta.
U bë një kompromis, dhe ai kompromis u bë pas një përpjekje shumë të madhe të opozitës, e cila donte që shqiptarët të mësonin të vërtetat e këtij sistemi të falimentuar.
Kompromisi ishte që zyrtari të lexonte pyetjet dhe pas përgjigjeve të tij, autori i pyetjeve të shprehej 2 minuta për përgjigjet që ai dha. Dhe kjo funksionoi, mendoj unë, shumë mirë.
Funksionoi shumë mirë, ndonëse ju e patë vetë pozitën mjerane në të cilën u ndodhën palët tona kundërshtare. Ai, siç do thoshte një eksperte e shquar e gjuhës së turpit, fliste si i kapur.
Për të gjithë ata që njohin gjuhën e trupit, kjo ishte e vërteta e tij, sepse ai është i kapur.
Kurse ata, të cilët shkelmuan Kushtetutën vetëm se ai kishte frikë nga pyetjet, nuk duronte dot pyetjet direkte se i dukeshin si shigjeta, e lëshuan në rënie të lirë.
E lëshuan në rënie të lirë sepse kishin frikë nga opozita do ua nxirrnim dosjet në parlament, që i fshihte Troplini.
Nuk kisha parë ndonjëherë në eksperiencën time të gjatë 32-vjeçare një ditë ku përpjekja për të vërtetat triumfoi aq bukur.
Dhe ku kompromisi i krimit midis mercenar-Dumanit dhe pengjeve të tij në narkomazhorancë prodhoi ato skena të papërsëritshme.

