Kryemadhi: Shtyrja e seancës me qëllim për të mbajtur Ilir Metën në burg për inate personale. Nëse ka ndodhur lobimi...

Teksa sot ishte parashikuar që të mbahej seanca paraprake për presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, gjyqi është shtyrë.

Shkak i shtyrjes së gjyqit është bërë mungesa e avokatit mbrojtës të Kryemadhit, ndërkohë bëhet me dije se SPAK ka sjellë prova të reja në gjyq, kundër Metës dhe Kryemadhit.

SPAK pretendon se gjatë hetimeve janë zbuluar skema korrupsioni dhe abuzime me pushtetin. Përveç Metës dhe Kryemadhit, janë dërguar për gjykim edhe tre persona të tjerë.

Pas kësaj Monika Kryemadhi doli në një komunikim me gazetarët ku zbardhi pretendimet e saj ndaj zhvillimeve të reja hetimore.

“Kjo do të thotë që hetimi nuk paska mbaruar por ende vazhdon dhe kjo do të thotë që ne jemi në hetim paraprak.

Dhe arsyeja për të cilën është vepruar me një veprim të tillë është me qëllimin për të mbajtur z. Meta në burg, për të mbajtur Monika Kryemadhin dhe familjarët e saj nën presion dhe për të arritur në një inat personal që nuk e di se në emër të kujt e ka, por jam e bindur se kushdo që të jetë është një ushtar i bindur i Yuri Kimit dhe kush është në largim e sipër”, u shpreh ndër të tjera Monika Kryemadhi.

Më 29 gusht, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit mbylli hetimet dhe e dërgoi për gjykim Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, me akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë.

Kujtojmë Meta ka kundërshtuar vendimin e shkallës së parë, duke kërkuar zbutjen ose heqjen e masës së arrestit, ndërsa mbrojtja e tij e ka cilësuar masën si të pajustifikuar dhe politike.