Salla: Këshillimi bujqësor, bazë e zhvillimit të qëndrueshëm të fermave

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi sot një vizitë pune në Agjencinë Rajonale të Këshillimit Bujqësor në Lushnjë, strukturë që ofron asistencë teknike për fermerët në qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në fokus të kësaj vizite ishin shërbimet e ofruara për fermerët e qarqeve Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, me synim përhapjen e njohurive bashkëkohore, adoptimin e teknologjive të reja dhe përmirësimin e praktikave të menaxhimit të fermës.

Ministri vlerësoi rolin e këshillimit bujqësor si një hallkë kyçe që lidh kërkimin shkencor me prodhimin bujqësor në terren, duke kontribuar në rritjen e efikasitetit, sigurisë ushqimore dhe cilësisë së produkteve shqiptare.

Gjatë vizitës, Salla inspektoi edhe laboratorët që mbështesin fermerët me analiza të specializuara për tokën, bimët dhe produktet bujqësore, duke garantuar standarde të larta për tregun vendas dhe atë të eksportit.

Ministri theksoi angazhimin e MBZHR për të fuqizuar më tej shërbimet e këshillimit bujqësor, si një prej shtyllave të zhvillimit rural dhe transformimit të sektorit bujqësor në vend.