"Të tërhiqet projektligji!" - Bozdo: Familja baza e shoqërisë, amendime nga halli të PS

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka reaguar sot përmes një postimi në Facebook, pas një takimi të organizuar nga Myftinia e Beratit, ku morën pjesë përfaqësues të klerit mysliman, ortodoks dhe katolik, si dhe deputetë të spektrit të gjerë politik dhe përfaqësues të pushtetit vendor.

Bozdo bëri të ditur se, së bashku me deputetin Zija Ismailaj, theksuan gjatë takimit kundërshtimin ndaj projektligjit “Për Barazinë Gjinore”, i cili aktualisht po diskutohet në Kuvend.

Sipas tij, përkufizimet e projektligjit hapin “një rrugë të rrezikshme dhe të papranueshme”, ndërsa amendimet e propozuara nga mazhoranca nuk zgjidhin problemet thelbësore.

“Ne kemi kërkuar tërheqjen e plotë të projektligjit dhe mosparaqitjen e tij më,” shton deputeti demokrat.

Në fund të reagimit të tij, Bozdo thekson se “Shqipëria ka nevojë për familjen”, duke nënvizuar se “familja është baza e shoqërisë dhe ka vetëm burrë e grua të lidhur me dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin.”

Postimi i plotë:

Sot në takimin e organizuar nga Myftinia Berat, në prani edhe të Klerit Orthodoks dhe atij Katolik, të deputetëve të të gjithë spektrit politik si dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor të Beratit.

Së bashku me kolegun tim Zija Ismailaj, theksuam nevojën e tërheqjes nga Kuvendi të P-Ligjit "Për Barazinë Gjinore", i cili në thelb, siç është paraqitur nga qeveria, zhbën traditën familjare, duke zhbërë gjinitë e vetme që ne njohim, burrin dhe gruan si thelbi i familjes dhe shoqërisë, dhe duke ndërtuar gjini imagjinare!

Përkufizimet e këtij P-Ligji hapin një rrugë të rrezikshme dhe të papranueshme për ne si deputetë të Partisë Demokratike.

Edhe amendimet nga halli të PS, nuk zgjidhin asgjë!

Ne kemi kërkuar tërheqjen e plotë të P-Ligjit dhe mosparaqitjen e tij më!

Shqipëria ka nevojë për familjen!

Familja është baza e shoqërisë!

Familja ka vetëm burrë dhe grua të lidhur me dashuri dhe respekt për njëri tjetrin!