Raporti OSBE/ODIHR - Xhixho: Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin të lira, por të manipuluara dhe të kontrolluara politikisht nga pushteti

Erisa Xhixho thekson se gjetjet e OSBE/ODIHR zbulojnë qartë se zgjedhjet e 11 majit u zhvilluan nën kontroll politik të pushtetit, duke cenuar standardet demokratike dhe vullnetin e qytetarëve.

Postimi:

Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, një skaner i farsës elektorale

Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin as të lira, as të ndershme, por të manipuluara dhe të kontrolluara politikisht nga pushteti. Raporti i OSBE-ODIHR provoi të gjitha shqetësimet e ngritura nga opozita e bashkuar që para nisjes së fushatës.

Në mënyrë të veçantë, OSBE/ODIHR thekson se u zbeh dallimi mes partisë në pushtet dhe shtetit, përmes përdorimit të burimeve publike, fondeve, administratës, madje edhe me dhënien e bonuseve dhe faljen e gjobave për qëllime elektorale — të gjitha këto në kundërshtim me Dokumentin e Kopenhagenit.

Pra, 35 vite pas rënies së komunizmit jemi kthyer aty ku shteti dhe partia ishin një.
Përmendja e Dokumentit të Kopenhagenit në raport nuk është thjesht një referencë teknike — ajo është një matës i legjitimitetit demokratik.

Dokumenti i Kopenhagenit (1990) është themel i standardeve të OSBE-së për zgjedhje të lira, pluralizëm politik dhe respektim të të drejtave të njeriut.

Shkelja e tij nënkupton devijim nga vetë parimet që garantojnë demokracinë evropiane.
Raporti vë në dukje:

Mjedisin e polarizuar, përdorimin e administratës dhe burimeve shtetërore

Ligjet e miratuara nga qeveria, bonuset dhe gjobat e falura për të përfituar vota

Mungesën e masave nga KQZ për zyrtarët që shkelën ligjin zgjedhor

Përdorimin e patronazhistëve për t’i bërë presion administratës

Presionin mbi qytetarët për votën, deri te shit-blerja e vullnetit të tyre

Përfshirjen e krimit në zgjedhje dhe kërcënimin e qytetarëve për llogari të kandidatëve dhe partive
Vënien e medias në shërbim të qeverisë

Parregullsitë me votën e diasporës

Këto tregojnë se pushteti aktual nuk fiton zgjedhje — i vjedh ato.

Shteti është kthyer në instrument elektoral të partisë, duke cenuar rëndë demokracinë dhe sovranitetin e qytetarëve.