Të hënën seanca plenare/ Grupi i PD kërkesë Peleshit: Shmangni çdo provokim ndaj deputetëve të opozitës

Të hënën, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare që do të përfshijë edhe raportimet e disa institucioneve të pavarura kushtetuese.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, i kërkoi Kryetarit të Kuvendit në një letër që të evitonte provokimet ndaj opozitës dhe t'i linte kohë për debat.

Ai theksoi se çdo ndryshim i njëanshëm në të drejtat e deputetëve të pakicës ose interpretimi i ri i Rregullores së Kuvendit, janë shkelje e parlamentarizmit dhe përbëjnë një rrezik për të drejtat e opozitës, duke e konsideruar këtë të papranueshme.

Letra e plotë: 

 Z. Kryetar i Kuvendit, Në vijim të urdhrit tuaj nr. 24, datë 24.10.2025, me të cilin është thirrur seanca plenare për datën 27.10.2025, ora 10:00, dhe është njoftuar rendi i ditës, ju bëjmë me dije se në rendin e ditës, në pikat 5-9, janë përfshirë raportimet e disa institucioneve të pavarura kushtetuese. Sipas dakordësisë së Konferencës së Kryetarëve, për çdo raport është përcaktuar kohëzgjatja prej 150 minutash.

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, konfirmojmë kërkesën tonë për zhvillimin e debatit, brenda kohës së përcaktuar prej 150 minutash për secilin raportim.

Lutemi që të shmanget çdo provokim ndaj deputetëve të opozitës, duke lejuar secilin prej tyre të parashtrojë pyetjet dhe qëndrimet e veta për çdo institucion, në përputhje me nenin 103, pika 7 të Rregullores së Kuvendit dhe me praktikën parlamentare 34-vjeçare.

Çdo ndryshim i njëanshëm i këtyre të drejtave, apo interpretim arbitrar i Rregullores së Kuvendit, do të konsiderohet cenim i parimeve të parlamentarizmit dhe kufizim i padrejtë i të drejtave të opozitës, gjë që do të ishte e papranueshme për përfaqësuesit tanë.

Për këtë arsye, në ushtrim të përgjegjësive tuaja, ju kërkojmë të ndërmerrni masa për normalizimin e jetës parlamentare dhe të ndaloni menjëherë çdo akt provokues ndaj opozitës, duke garantuar një sjellje konstruktive e dinjitoze në punimet e Kuvendit të Shqipërisë.