1 kafe 2 viktima/ Sociologia: Nëse ekspresi bëhet shkak për një humbje jete, le të mbahet hapur

Sociologia Eva Sinanaj komentoi në lidhje me ngjarjen e rëndë në Durrës, duke theksuar se konflikte të tilla mes të rinjve dhe punonjësve janë pasqyrim i humbjes së ekuilibrit dhe normave shoqërore në shoqërinë shqiptare.

" Nga gjithë të dhënat që kemi deri më tani, të gjithë u zgjuam me këtë lajm jo të mirë sot në shoqërinë shqiptare.

Të gjithë janë në moshë madhore, pra mbi 20 vjeç dhe do të thoja që ai kamarieri që punon në orët e para të mëngjesit padiskutim që nga nevoja ka shkuar aty të punojë. Është në ambient pune.

Ky nuk është rast i parë. Ky ka përfunduar me viktimë, por kemi dhe raste të tjera që kamarierët dhunohen nga klientët, ofendohen, bullizohen. Duhet marrë në konsideratë që të rinjtë në shoqërinë shqiptare, këta janë në moshë studentësh, disa punojnë shumë, disa janë të përkëdhelur të prindërve, disa të tjerë janë të përkëdhelur të sistemeve shoqërore që ne kemi krijuar.

Në këtë realitet, i kanë ikur ekuilibrat, i kanë ikur ato vlerat dhe normat shoqërore. Duket sikur është e vështirë të punosh normalisht. 

Ai njeriu i ndershëm dhe punëtor që shkon për të nxjerr të ardhura për familjen, nuk e le rehat ky tjetri që ka dal për qejf në orën 2 të mëngjesit.

Të zihesh për një filxhan kafe duket një rastësi e pakëndshme. Është fatkeqësi dhe jo normalitet për një burrë 33-vjeçar, që në vend të shuaj konfliktin vendos të kryej këtë veprim.

Nëse ekspresi bëhet shkak për të humbur një jetë, ose për të humbur disa jetë, le të mbahen hapur ekspresët. Le të jepet ajo kafe", u shpreh Sinanaj.