Venecia ndihmë për Zgjedhoren/ Buquicchio: Rregullat e lojës s’duhet të ndryshohen sipas interesave

Komisioni i Venecias është gati të ndihmojë sërish Shqipërinë për Reformën zgjedhore, tha Presidenti i Nderit, njëherësh përfaqësues i Komisioni Evropian për Demokraci nëpërmjet të Drejtësi Gianni Buquicchio, në konferencën për 30-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës

Por si kryesues i trupës së ekspertëve të ligjit që ka dhënë opinion për çështje të rëndësishme për vendin tonë përfshirë edhe Reformën në drejtësi e atë zgjedhore, ai dha një mesazh të qartë për politikën shqiptare, kur theksoi domosdoshmërinë e ruajtjes së stabilitetit demokratik dhe shmangies së ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor.

“Ligji zgjedhor, kodi elektoral ka qene objekt bashkëpunimi më shumë se tre dekada. Është bërë vendimtar në krizën e 1997. Në vitet e ardhshme zhvilluam diskutuam me palët e ndryshme për të gjetur zgjidhje të përhershme. Që atëherë ne ndërhymë dhe dhamë  mendime për një numër reformash zgjedhore. Nuk duhet të harrojmë, si për kushtetutën kemi të bëjmë me rregullat e lojës dhe rregullat e lojës nuk duhet të ndryshohen në bazë të interesave të lojtareve apo disa prej tyre. Nëse parashikohen ndryshime duhet të përqendrohen në zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga organizatat ndërkombëtare.  Do të përmendja edhe komisionin e ri ndërparlamentar që do të shqyrtojë këtë temë në bashkëpunim me Komisionin e Venecias dhe ne jemi në dispozicionin tuaj.”

Kjo deklaratë ishte përgjigje për kërkesën e kryeparlamentarit Niko Peleshi që kërkoi ndihmën e Komisionit të Venecias në procesin e reformës Zgjedhore, duke i dhënë zë kushtit të demokratëve për tu bërë pjesë e komisionit të posaçëm për ndryshimin e ligjit elektoral.

Partitë Politike pritet që të përfshihen në një rishikim të plotë të Kodit Zgjedhor, ndërsa Partia Demokratike ka thënë se kushti i panegociueshëm ishte përfshirja e institucioneve ndërkombëtare në këtë proces.