Kodi i ri Penal, kryetarja e KLP: Nuk kemi asnjë qëndrim pa analizuar draftin! Këshilli s’ka burime njerëzore për ekspertizë

Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, ka komentuar gjatë raportimit të saj vjetor në Kuvend draftin e Kodit të ri Penal, ku tha se KLP ende nuk ka një qëndrim të qartë.

“Duhet një pune e jashtëzakonshme për të analizuar të gjitha ato nene, për të parë direktivat e Bashkimit Europian dhe se si janë transpozuar në draft Kodin e ri’, tha Bogdani.

Kryetarja e KLP theksoi se ekspertiza kërkon punë kolosale, të gjerë në kohë dhe burime njerëzore, që sipas saj, Këshilli për momentin nuk i ka.

Mirela Bogdani: Lidhur me Kodin Penal, ky ka qenë një proces tërësisht i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë, nuk kemi ndërhyrë në asnjë moment. Kemi pritur të kemi një material të cilin mund ta gjykojmë.

Kemi pasur një diskutim informal, për qëndrimin që ne si Këshill mund të mbajmë, dhe nuk gjetëm një unison të përbashkët për qasjen pro apo kundër kodit apo seksioneve të veçanta të tij, sepse duhet një pune e jashtëzakonshme për të analizuar të gjitha ato nene, për të parë direktivat e Bashkimit Europian dhe se si janë transpozuar në draft Kodin e ri.

Kërkon punë kolosale. Kërkon një ekspertizë të gjerë në kohë dhe burime njerëzore që Këshilli për momentin nuk i ka. Ka nevojë për një vlerësim dhe vendimmarrje për t’u analizuar në detaje.