Pirdeni: Reforma ndërsektoriale, udhërrëfyes për modernizimin e administratës. Bylykbashi: Ka 12 vjet që flitet për reformë dhe jemi në një situatë dramatike

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni tha sot se Shqipëria vazhdon të mbajë vendin kryesues në rajon sa i takon qeverisës digjitale dhe menaxhimit të financave publike, sipas raportit të fundit të OECD Sigma-s.

Ministrja Pirdeni e bëri këtë deklaratë gjatë prezantimit të veprimtarisë vjetore për 2024-ën, të Departamentit të Administratës Publike, në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.

Pirdeni tha se “viti 2024 shënoi një nga periudhat më intensive dhe më produktive në drejtim të konsolidimit të reformave që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht me reformën në Administratën Publike”.

“Ky progres nuk do të kishte qenë i mundur pa një vendosmëri të qartë politike për ta trajtuar reformën në Administratën Publike si një prioritet kombëtar. Në fillim të vitit 2024 u krijua për herë të parë një portofol i dedikuar ministror vetëm për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, një vendim që i dha reformës peshën e merituar politike dhe institucionale”, tha Pirdeni.

“Ky konfigurim i ri qeveritar qartësoi përgjegjësinë në nivel politik dhe forcoi fuqinë vendimmarrëse të Administratës Publike si një strukturë teknike përgjegjëse për zbatimin e reformës”, vijoi ajo.

Ministrja Pirdeni tha se është rritur koherenca mes politikbërjes dhe zbatimit të saj duke i dhënë reformës në Administratën Publike një drejtim më të qëndrueshëm dhe më afatgjatë.

“Krijimi i këtij portofoli ministror solli një sinjal të qartë për vullnetin e Qeverisë shqiptare për të ndërtuar një administratë moderne, të motivuar, që funksionon sipas standardeve të BE-së dhe që është në gjendje të përgatisë vendin për një proces historik siç është anëtarësimi në BE brenda vitit 2030”, pohoi Pirdeni.

Pirdeni tha se gjatë vitit 2024 me hapjen zyrtare të negociatave dhe grup-kapitullit Themeloret, reforma në Administratën Publike u përfshi si pjesë e këtij procesi duke e vendosur departamentin në zemër të anëtarësimit.

“DAP-i jo vetëm vepron si sekretariat teknik në këtë kriter, por është edhe një pikë kyçe horizontale si faktor mundësues i progresit për grup-kapitujt e tjerë. Administrata shqiptare ka kaluar nga faza e planifikimit në atë të konkretizimit të reformave që masin kapacitetin e vendit tonë për të siguruar që çdo reformë e Administratës Publike të mishërojë standardet e BE-së”, tha Pirdeni.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin u ndal edhe një tjetër element, të cilin e cilësoi si një moment kyç siç është vlerësimi periodik i OECD Sigma për vitin 2024.

Sipas Pirdenit, ky është vlerësimi më i besueshëm ndërkombëtar për vendet kandidate për anëtarësimin në BE.

“Zyrtarët shqiptarë kanë qenë të angazhuar në institucionet e shërbimit civil dhe ato të pavarura për t’iu përgjigjur 1536 pyetjeve në një hark kohor 6-mujor. Përfundimet e vlerësimit, më shumë se një analizë, janë një raport që tregon një progres të qartë të Shqipërisë, por edhe sfidat që mbeten për adresim në reformën e Administratës Publike dhe një dëshmi konkrete e pjekurisë progresive e administratës sonë ndaj standardeve evropiane”, cilësoi Pirdeni.

“Shqipëria ruan në mënyrë solide lidershipin për 32 indikatorë të performancës dhe rezulton me performancën më të lartë sidomos sa i takon koordinimit të politikave, menaxhimit të burimeve njerëzore dhe pozicionimi në krye të rajonit për sa i përket qeverisjes digjitale dhe menaxhimit të financave publike”, pohoi ajo.

Sipas Pirdenit, Sigma vlerëson se dhe sistemi i menaxhimit dhe rekrutimit në administratën publike është i pjekur dhe i qëndrueshëm sipas këtij raporti.

Pirdeni tha se paga mesatare në Administratës Publike është mbi 100 mijë lekë të reja, tashmë dyfish krahasuar me 2013-ën në sajë të zbatimit të një pakete fleksibiliteti në punë.

“Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë e vlerëson si mesatarisht të përgatitur në fushën e Administratën Publike dhe njeh një trend të qëndrueshëm përmirësimi. DAP miratoi reformën ndërsektoriale në Administratën Publike, e cila u miratua në korrik 2025 nga Këshilli i Ministrave. Kjo strategji është një udhërrëfyes për modernizimin e administratës dhe të ndërtuar mbi pesë shtylla”, pohoi Pirdeni.

Pirdeni pohoi se “reforma historike e pagave është bërë me synimin për ta pozicionuar shërbimin publik si punëdhënës konkurrues në tregun e punës”.

“Kjo reformë solli rritje të ndjeshme të pagave në administratë nga 35-65% rritje sipas kategorive përkatëse. Krahasuar me vitin 2013 pagat e nëpunësve civilë kanë një rritje domethënëse dhe kjo vlerësohet nga Komisioni Evropian për Shqipërinë se është rritur pesha e elementit të vjetërsisë në pagën totale”, tha ajo.

“Pozicionet drejtuese në drejtoritë rajonale kanë një rritje deri në 34%, 36 mijë punonjës mësimor dhe jo mësimor kanë një rritje nga 23-53%, në sistemin shëndetësisë ka rritje me 25% për mjekët, në Forcat e Armatosura ka një rritje të pagës për gratë, në sistemin e policisë së burgjeve ka rritje deri 15.2% etj”, theksoi Pirdeni.

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi bëri një koment në fund të fjalës së ministres Pirdeni, duke u shprehur se një nga problemet më të mëdha sot në Shqipëri është Administrata Publike.

“Ka 12 vjet që flitet për reformë dhe jemi në një situatë dramatike. Ju sigurisht që do e lustroni situatën, por administrata ka një barrë kryesore në çështjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Frika absolute që kanë punonjësit sot në administratë është që të flasin dhe shprehin diçka, sepse kanë frikë. Më herët, Komisioneri për Shërbimin Civil tha që Kushtetuta ia jep mundësinë PS-së që mbas orarit të punës të ushtrojë gjithë presionin. Por, elementi shtesë, frika që kanë ata që punojnë në Administratë Publike është se fluturojnë nga puna nëse mendojnë ndryshe”, tha Bylykbashi.