Kultura kazake vjen në Tiranë/ Ylli i muzikës Adam dhe grupi “Turan” sjellin tingujt e stepave të Azisë

Adam, ylli i muzikës kazake, elektrizoi publikun shqiptar duke sjellë ritme moderne dhe energji të jashtëzakonshme në koncertin që shënoi hapjen e aktiviteteve të Javës Kulturore të Kazakistanit në Tiranë.

Hitet e tij, përfshirë këngën “Zhurek”, e cila ka arritur mbi tre miliardë shikime në YouTube dhe TikTok, i dhanë mbrëmjes një atmosferë unike dhe të paharrueshme për të gjithë dashamirësit e muzikës.

I emocionuar për praninë në Tiranë, tha se përjetoi një natë që do ta kujtojë gjatë.

“Çdo gjë ishte shkëlqyer, ishte një pritje shume e ngrohte me një popull mikpritës. E dini, energjia qe kisha ishte e papërsëritshme dhe unë nuk doja qe performanca ime te mbaronte por neve na duhej te mbaronim pasi dhe koha e koncertit ishte ne përfundim. Akoma ndihet kjo atmosfere e zjarrte qe ne sa po lamë pas. Ishte kënaqësi te vija ne Tirane, ne Shqipëri te rrethuar nga njerëz te mrekullueshëm."

Pjesë e eventit ishte dhe Ansambli “Turan”, ambasadorët ndërkombëtarë të kulturës turke, të cilët përmes instrumenteve tradicionale dhe interpretimit të energjisë së stepave të Azisë Qendrore, sollën një dimension autentik dhe magjepsës të muzikës kazake.

Performancat e tyre, të pasura me tinguj të veçantë, u pritën me duartrokitje të gjata nga publiku.

Java Kulturore e Kazakistanit, e mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, synon të ndërtojë ura të reja bashkëpunimi dhe miqësie mes popujve shqiptar dhe kazak.