Rama: Komisioni i Venecias, kontribut historik për Reformën në Drejtësi

Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot kontributin historik të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi dhe procesin e Vetingut në Shqipëri.

Rama ishte i pranishëm në hapjen e konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”.

Kryeministri theksoi se Komisioni i Venecias ka kontribut historik për reformën më të thellë dhe më të vështirë që ka bërë Shqipëria, Reformën në Drejtësi.

“Ky komision ka qenë një bashkëudhëtar i pandarë, një udhërrëfyes si gjithmonë i matur dhe një autoritet që na ka ndihmuar të krijojmë gjatë gjithë kohës busullën dhe të orientohemi gjatë gjithë kohës në drejtimin e duhur”, tha Rama.

Sipas tij, pa Komisionin e Venecias do të kishte qenë e pamundur që Shqipëria të ndërmerrte procesin e Vetingut, një proces kyç për reformën.

Kryeministri vlerësoi se ky institucion ka shuguruar në vijimësi përpjekjen e Shqipërisë për t’u demokratizuar dhe transformuar nga një vend i sapodalë prej diktaturës në një vend që synon të ulet në tryezën e BE-së.

“Komisioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë ‘shokë materniteti’.

Kanë lindur në të njëjtën kohë, në vitin 1990. Komisioni i Venecias si një fëmijë i Evropës së ribashkuar në vlerat e lirisë dhe me dëshirën për t’u njehsuar me parimet e demokracisë dhe demokracia shqiptare si një ëndërr e shumëndërruar që më në fund pa të hapur shtegun e saj”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se historia e zhvillimit demokratik në Shqipëri është tërësisht e lidhur me historinë e rritjes dhe të forcimit të influencës së Komisionit të Venecias.

“Bëhet fjalë për procese që në vende si Shqipëria kanë pasur në vazhdimësi nevojën e ndihmës dhe të një mbështetje mençurie dhe nevojën e një asistenti të paanshëm të çdo vendi në kërkim të standardeve më të mira”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se sot Komisioni i Venecias ndër të tjera ka në bilancin e vet edhe kontributin e paçmuar për Kushtetutën e parë të shtetit demokratik shqiptar, asaj të vitit 1998.

“Po ashtu Komisioni i Venecias ka edhe një sërë ndërhyrjesh shumë të rëndësishme në procese ku mendimi dhe opinioni i tij ka luajtur një rol vendimtar për kahjen e procesit.

Pa diskutim që Komisioni i Venecias ka kontribute kyçe për historinë e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, kontribute në Kodin Zgjedhor, të cilat kanë mbështetur thelbësisht përmirësimin e këtij kodi dhe kanë forcuar garancinë e standardeve demokratike”, shtoi Rama.