“Ju jeni me horrin dhe oligarkun”, Alizoti: Po u vidhni ilaçet fëmijëve dhe të sëmurëve me kancer
Deputeti demokrat Tomor Alizoti, e ka cilësuar mungesën e debatit mbi programin qeverisës si një ndër rastet më të rënda për demokracinë shqiptare që prej viteve '90.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Alizoti u shpreh se kudo në botë e majta është më të dobëtin, ndërsa këtu është me horrin dhe me oligarkun. Sipas tij, mbyllja e debatit përfaqëson një kthim pas në standardet demokratike dhe dëmton jo vetëm opozitën, por vetë qeverinë dhe procesin e integrimit në BE.
“Në dijeninë time është rasti i parë në 30 vite që nuk ka debat mbi një program. Arritja jonë më e madhe ka qenë debati. Ribëjeni debatin, është pika kryesore që është në interesin madhorë të vetë qeverisë që ka plan madhor integrimin në BE. Pse e shmangni. E kam lexuar programin dhe kam parë shumë pak fjalë për shpopullimin dhe aspak për Kosovën. Demokracia jeton nga debati, riktheni seancën e parë. Shmangia në sytë e mi është dobësi. Keni shumë mandate por në artikulimin politik jeni të dobët.
Një pyetje retorike. Ku qëndron e majta juaj? I majti europian qëndron me të dobëtin ju jeni me horrin, me të fortin e lagjes, me oligarkun. Nuk pashë asnjë fjalë për Kosovën, kur ajo është dhimbje. Dhimbja e saj u kthye në diçka botërore, dhe Kuvendi i Shqipërisë sot e ka problem të miratojë një rezolutë për gjenocidin atje, ky është turp për publikun. Ju i vidhni ilaçet fëmijëve dhe të sëmurëve me kancer. Ku qëndron e majta juaj?”, tha ai.

