Mocionet me debat, Balla-opozitës: Sillni sipas Rregullores së Kuvendit, ndryshe as nuk i pranojmë e as i miratojmë!
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë fjalës në Kuvend i kujtoi opozitës së kërkesat e saj për mocion me debat nuk janë bërë sipas rregullores.
Ai theksoi se PS nuk do të miratojë asnjë prej atyre, nëse objekti i kërkesës nuk respekton rregulloren.
“Sa i përket mocioneve, rregullorja është e qartë. Mocionet janë pjesë e instrumenteve parlamentare, që nisin nga më i thjeshti që është seanca e pyetje-përgjigjeve, për të shkuar te interpelanca për çështje urgjente dhe për të kulmuar me mocionet me debat, e deri te komisionet hetimore.
Sa i përket kërkesës suaj, po e lexoj nenin 89; një grup deputetësh mund të paraqesin një kërkesë për mocion për çështje të veçantë dhe më pas mund të bëhet një deklaratë, që i lidhet më pas kërkesës për mocion. Kam para një kërkesë që vjen nga PD-ja, që kërkon jo një çështje të veçantë, por disa qindra çështje; bilancin e qeverisë nga 2013-2025. Në 12 vite kemi bërë aq shumë punë sa nuk dimë ça të themi më parë.
E thënë troç, ne e dogjëm mundësinë për të diskutuar siç e ka hije parlamenti për t’u kthyer te 18 shtatori. Nuk kthehemi dot pas ne, ecim vetëm para. Mund të bëjmë një mocion me debat për çështjet që ndërlidhen me rrugën tonë europiane, me procesin në BE. Kërkesat i keni bërë sakate se nuk doni që të bëni debate.”, tha ai.
