Sfida për vendin e dytë në grup, Kosova me shumë mungesa sot ndaj Suedisë

Kombëtarja e Kosovës sonte do të zhvillojë ndeshjen e dytë të muajit të tetorit, ku përballet me Suedinë.

“Dardanët” në stadiumin “Nya Ullevi” në Goteborg do të përballen me suedezët në orën 20:45.

Trajneri i Kosovës, Franco Foda, do të duhet t'ia dalë në këtë ndeshje pa disa lojtarë shumë të rëndësishëm për shkak të lëndimeve dhe kartonëve.

Fillimisht nga lista fillestare u largua Florian Haxha për shkak të lëndimit, derisa rrugën e tij e ka ndjekur edhe Lumbardh Dellova që nuk ka arritur të rikuperohet.

Në mbrojtje Foda nuk mund të llogarisë edhe në shërbimet e Fidan Alitit që është larguar nga grumbullimi si shkak i pezullimit prej kartonëve.

Ndërkohë një tjetër lajm i keq është edhe largimi i Elvis Rexhbecajt, i cili pësoi lëndim ndaj Sllovenisë dhe nuk do të luajë ndaj Suedisë.

Për këtë sfidë Foda do ta ketë në dispozicion mesfushorin Lindon Emërllahu i rikthyer nga pezullimi.