Pezullohen zgjedhjet për Tiranën/ Kume: Jo çdo gjë është bërë ashtu siç e parashikon ligji

Ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, në një lidhje të drejtpërdrejtë për “Ora News”, komentoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi ankimin e dytë të Erion Veliajt, duke theksuar ndikimin e politikës në proces.

" Ajo që ka vendosur Gjykata Kushtetuese ka të bëj me ankimin e dytë të Veliajt, pra ankimin për dekretin e Presidentit, të cilin jo vetëm që e ka pranuar, por Gjykata Kushtetuese edhe e ka pezulluar deri në vendimarrjen e saj.

Në 31 tetor është seanca e parë, ku mund të marri pjesë dhe Veliaj dhe pastaj është ajo koha e nevojshme që i duhet Gjykatës Kushtetuese për të përfunduar procesin e gjykimit dhe zbardhjen e tij nëpërmjet botimit në Fletoren Zyrtare.

Ky problem që ka kohë që ka nisur. Kush i ka ndjekur këto raste, mund të vë re se jo gjithmonë është ndjekur ajo çka ka kërkuar ligji, më tepër sesa gjithçka është bërë në funksion të vlerësimit politik dhe të ngarkesave politike që ka zbatimi i ligjit në një rast të tillë.

E them këtë sepse Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk e mori vendimin për të propozuar ndërprerjen e mandatit të Veliajt në kohën kur e parashikon ligji, ose afër asaj kohe, pra kur mbushen 3 muaj, por atëherë kur subjekti kryesor politik që është PS-ja që ka dhe shumicën e vendimarrësve në Këshillin Bashkiak vlerësoi se duhej marr një vendim i tillë, 7 muaj pasi Veliaj është ndaluar", u shpreh Kume.